Çka ndodh me pacientin menjëherë pasi vdes nga koronavirusi, si largohet trupi i tij nga dhoma e repartit - Gazeta Express
string(104) "cka-ndodh-me-pacientin-menjehere-pasi-vdes-nga-koronavirusi-si-largohet-trupi-i-tij-nga-dhoma-e-repartit"

Çka ndodh me pacientin menjëherë pasi vdes nga koronavirusi, si largohet trupi i tij nga dhoma e repartit

Gentiana Hasani

22/09/2020 13:09

Nëse një person ndërron jetë, nga COVID-19, në njërën nga Klinikat e QKUK-së, trupi i tij, në sy të pacientëve të tjerë, largohet me arkivol nga dhoma. Kjo gjë bëhet përmes kompanisë së kontraktuar nga ana e QKUK-së për bartjen e kufomave. Për këtë dukuri janë ankuar pacientët e shtrirë në klinika. Kompania deklaron se është e detyruar të veprojë në këtë mënyrë. Kjo për shkak të mungesës së morgëve nëpër klinika. Bartja e një trupi të ndonjë pacienti që ka vdekur nga koronavirusi në Kosovë, shtetit i kushton 400 euro, shkruan Express.

Deri më tani në Kosovë si pasojë e infektimit me COVID-19 kanë ndërruar jetë 613 qytetarë. Varrimin e të gjithë këtyre personave e kanë marrë përsipër institucionet kosovare. Ceremonia e varrimit të tyre kushton deri në 400 euro.

Lexo Edhe:

Gazeta Express për këtë çështje ka diskutuar me kompaninë që për momentin është e kontraktuar nga ana e QKUK-së për bartjen e kufomave të pacientëve që kanë ndërruar jetë nga Covid-19.

Momentalisht, në Kosovë me përgatitjen e viktimave me COVID-19, për transportin e tyre deri në varreza, merret kompania private “Ngushëllimi”. Pronari i kësaj kompanie, Blerim Ndreci, thotë se ekipet speciale operojnë në secilën klinikë dhe komunë të Kosovës.

Por, ai shprehet se trupat e pacientëve që kanë vdekur nga koronavirusi hiqen nga dhoma me arkivol nga ana e kompanisë që ai drejton.

“Trupi i pajetë duhet të shkojë në morg nga stafi i mjekëve. Kompania nuk duhet të shkojë me arkivol në vendin ku ka vdekur pacienti. Ne, fatkeqësisht, duhet të futemi me arkivol nëpër dhoma për tërheqjen e trupit të pacientit. Secili repart duhet ta ketë vendin e posaçëm për bartjen e kufomave”, deklaron Ndreci për Express.

Megjithëkëtë, procedura për varrosjen e personave me COVID-19 është e bazuar në Ligjin për sëmundje ngjitëse dhe çdo person që vdes nga infeksioni me koronavirus, pas vdekjes mbyllet hermetikisht në arkivol dhe bartet deri në varreza.

Kompania ‘Ngushëllimi’ që nga mesi i gushtit e deri më sot ka kryer procedurat e varrimit për gati 300 persona.

Ai ka shpjeguar po ashtu edhe për mënyrën se si shkon procedura e varrimit të personave që kanë vdekur nga COVID-19 në Kosovë.

“Ne si kompani i presim me email udhëzimet e Qendrës Operative rreth pacientit që ka ndërruar jetë, në një klinikë apo repart. Pastaj kompania shkon dhe e bën mbylljen e kufomës dhe e dërgon në morg, pavarësisht kohës së kur vdes. Aranzhimi për varrim bëhet brenda 4-5 orëve. Ne e përcjellim kufomën deri te varrezat. Në momentin që viktima t’i bëjë dy orë, ne e kemi mundësinë të shkojmë e ta bëjmë tërheqjen e trupit”, shpjegon ai.

E një kufomë e pacientit e cila vdes nga COVID-19, shtetit i kushton 400 euro.

“Një kufomë çmimi total, me transport me arkivol, dy arkivole shkojnë diku në çmimin rreth 400 euro”, thotë pronari i kompanisë private për bartjen e kufomave, “Ngushëllimi”.

Megjithëkëtë, gjatë ceremonisë së varrimit të një personi që ka humbur jetën si pasojë e Covid-19, asistojnë edhe nga ana e Inspektoratit sanitar. Ceremonia e varrimit kryhet sipas rekomandimeve të marra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) si dhe nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar, në një përgjigje për Express, bëri të ditur se çdo person që ka vdekur nga COVID-19, dërgohet në varreza me përcjellje të policisë dhe në mbikëqyrje të Inspektoratit sanitar.

Varrimi thotë se bëhet pa prezencën e njerëzve të shumtë, por vetëm në praninë e familjarëve të ngushtë, të cilët duhet të respektojnë distancën.

“Këta persona që ndërrojnë jetë, futen në qese hermetike dhe pastaj vendosen në arkivol të drurit, i cili mbyllet hermetikisht si dhe dezinfektohet arkivoli. Menaxhimin e këtyre kufomave e bëjnë njerëzit që kanë eksperiencë me kufomat me sëmundje me potencial të rrezikshmërisë së lartë. Nuk lejohen procedurat fetare, si pastrimi apo veshja sipas riteve fetare përkatëse”, tha ai.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë e deri më 21 shtator janë regjistruar 15.063 raste me COVID-19. Prej tyre, 613 pacientë kanë vdekur dhe 12.570 janë shëruar. /GazetaExpress/