“Burrnesha” sonte në Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës” në Gjilan - Gazeta Express
string(70) "burrnesha-sonte-ne-festivalin-e-drames-shqipe-talia-e-flakes-ne-gjilan"

“Burrnesha” sonte në Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës” në Gjilan

Arte

Gazeta Express

26/01/2023 14:34

Shfaqja “Burrnesha” e Qendrës Multimedia, e shkruar nga Jeton Neziraj dhe me regji të Erson Zymberit do të luhet sonte në edicionin e 32-të të Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës” në Gjilan. 

Për shkak të kërkesës së madhe të publikut, shfaqja do të luhet në dy termine, nga ora 18:00 dhe nga ora 20:00.

Lexo Edhe:

Shfaqja në të cilën luajnë aktorët Semira Latifi, Tringa Hasani dhe Kushtrim Qerimi flet për burrneshat – gratë shqiptare që vendosin të jetojnë si burra. Pas një vendimi të pakthyeshëm, ato heçin dorë nga seksi dhe nga jeta e tyre si gra dhe fillojnë të jetojnë si burra, duke përfituar kështu disa nga privilegjet që në ato anë i gëzojnë vetëm burrat.

Perspektiva perëndimore e hulumtimit të fenomenit të burrneshave të përbetuara shqiptare ka qenë kryesisht ekzotike, pra, një shikim i “botës së civilizuar” ndaj asaj “të pacivilizuar”. Ka pasur poashtu njëlloj eksploatimi të llojit të vet që i është bërë këtij fenomeni dhe i cili është shfrytëzuar dhe përdorur nga të gjithë, veçanërisht nga mediat ndërkombëtare por edhe nga hulumtuesit e fushave të antropologjisë, sociologjisë, etnografisë e kështu me radhë. Një lloj intimiteti që këtyre burrneshave u ka garantuar akti i të kthyerit në burrneshë, krejt përnjëherë u është ekspozuar mediave dhe publikut, ekspozim i cili nuk u ka sjellur ndonjë përfitim burrneshave, përkundrazi, në shumë raste ato janë portretuar në dritën e primitivizmit dhe si ‘relikte’ të një shoqërie skajshmërisht patriarkale. Por për shumë nga këto gra, të vishesh si burrë dhe të bëhesh burrneshë ka qenë një akt emancipues. Ato e lidhin këtë akt me idenë e “lirisë”. Dave King e ka quajtur këtë fenomen si “migrim gjinor”, duke e krahasuar me migrimin gjeografik.

Në shfaqjen “Burrnesha”, antropologia angleze Edith, pas vizitës në veriun e Shqipërisë, takohet me Sose-n, njërën nga pak burrneshat e mbetura shqiptare. Të dyja, pastaj udhëtojnë në Londër, në një seri të prezentimeve publike në London University. Gjatë kësaj vizite, Sose bëhet pjesë e një queer performance që është duke u përgatitur nga Julian, që është një drag-queen e njohur e Londrës. Për Sosen takimi me një kulturë kaq të huaj bëhet çështje ekzistenciale.

/Express/