E ardhmja e talentit Said El Mala po bëhet gjithnjë e më e paqartë, pasi klubi anglez Brentford ka paraqitur një ofertë të re dhe shumë të majme për 1. FC Köln.
Sipas raportimeve të mediave gjermane Kicker dhe Bild, Brentford ka intensifikuar përpjekjet për transferimin e 19-vjeçarit, duke ofruar 40 milionë euro plus edhe 5 milionë euro bonuse lehtësisht të arritshme. Në total, marrëveshja mund t’i sjellë Kölnit rreth 45 milionë euro – shumë kjo shumë pranë kërkesës fillestare prej 50 milionë eurosh.
Përveç shumës së madhe financiare, klubi gjerman do të përfitonte edhe 15 për qind nga një shitje e ardhshme e futbollistit.
Drejtori sportiv i Kölnit, Thomas Kessler, ka konfirmuar ekzistencën e ofertës, por pa hyrë në detaje.
“Ka shumë klube të interesuara për të, jo vetëm nga Anglia. Mbetet të shihet nëse janë të gatshme të paguajnë shumën që kërkon klubi,” deklaroi ai.
Interesim për El Malan kishte shfaqur edhe Brighton, që sipas raportimeve po përgatiste një ofertë prej 35 milionë eurosh, por negociatat nuk avancuan.

Ndërkohë, Brentford nuk dëshiron zvarritje të bisedimeve dhe i ka vendosur afat ofertës së tij. Nëse marrëveshja nuk finalizohet brenda pak ditësh, klubi londinez pritet të tërhiqet dhe të fokusohet te objektiva të tjerë.
El Mala ka qenë vazhdimisht në radarët e klubeve të mëdha evropiane, përfshirë Chelsea, Newcastle United dhe Bayern Munich. Pikërisht ndaj Bayernit ai shkëlqeu në javën e fundit të Bundesligës, duke realizuar një gol spektakolar pas një aksioni individual, pavarësisht humbjes së ekipit të tij 5-1.
Sulmuesi i ri këtë sezon ka regjistruar 13 gola dhe pesë asistime në 34 paraqitje në Bundesliga.
Megjithatë, trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, vendosi të mos e përfshijë në listën për Kupën e Botës, duke i dhënë përparësi Leroy Sanés. Pavarësisht kësaj, ai e përmendi publikisht El Malan si një prej talenteve më premtuese të momentit në futbollin gjerman. /GazetaExpress/