Boksierët e Kosovës po iu rikthehen stërvitjeve - Gazeta Express
string(47) "boksieret-e-kosoves-po-iu-rikthehen-stervitjeve"

Boksierët e Kosovës po iu rikthehen stërvitjeve

Moral Pozhegu

05/05/2020 14:45

Bordi i Federatës së Boksit të Kosovës është mbledhur sot dhe i ka marrë disa vendime, prej tyre edhe rikthimin e boksierëve në stërvitje pas pandemisë koronavirus

Federata e Boksit të Kosovës ka vendosur që boksierët t’ju rikthehen gradualisht stërvitjeve pas pauzës së detyrueshme që e bënë shkaku i pandemisë koronavirus, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Në fakt, Bordi i Federatës, i cili e mbajti sot mbledhjen e rregullt, ka dalë me vendimin që boksierët të nisin të ushtrojnë për ta rikthyer formën.

“Bordi i Federatës së boksit ka analizuar të gjitha aspektet e gjendjes aktuale dhe sipas situates qe është , ka konstatuar se boksi si sport Individual ka rrezikshmeri me te vogel për fillimin e stervitjeve. Bordi i FboxK ka marr vendim qe në koordinim me MKRS dhe duke respektuar rekomandimet e Institutit te Shendetit Publik dhe Ministrisë se Shendetsisë gradualisht të rikthehemi në stervitjet e rregullta në objektet sportive dhe në ambiente te hapura që boksieret të fitojnë formen e duhur për vazhdimin e garave”, njofton shtëpia e boksit kosovar.

Federata e Boksit ka paraparë që boksierët cilësorë, reprezentuesit (djem dhe vajza) t’i dërgojë për përgatitje të përbashkëta bazike në bjeshkë.

Po ashtu, Bordi i FboxK ka paraparë që garat të fillojnë me turneun “Lah Nimani”, i cili do të mbahet në fund të qershorit ose në korrik, pra gjithçka do të varet nga tejkalimi i situatës në të cilën ndodhemi tani.

Ndër të tjera, FboxK në bashkëpunim me klubet do ta përpilojë kalendarin e ri për garat vendore, ndërsa për garat ndërkombëtare do të pritet njoftimi nga Federata Ndërkombëtare e boksit evropian EABA dhe të atij botëror AIBA, që i kanë ndërprerë të gjitha garat ndërkombëtare deri më 20 gusht 2020.

Tutje, Federata e Boksit të Kosovës kërkon nga Kuvendet Komunale që në afat sa më të shkurtër kohor t’i mbështesë financiarisht klubet e boksit, për ta kaluar këtë gjendje shumë të vështirë, që ka ndikuar në mbarëvajtjen dhe ekzistencën e klubeve kosovare.

“Në vijim të këtyre ditëve të vështira, kërkojmë nga sportistët dhe sugjerojmë të kenë kujdes maksimal ndaj shëndetit dhe sigurisë. Shëndeti juaj është shumë i çmueshëm, ndaj përpiquni që në mënyrën më të mirë ta ruani distancën në mes vete siç është e paraparë nga Instituti i Shëndetësisë. Bordi i Federatës së Boksit të Kosovës, të gjithë juve të angazhuar në boksin kosovar, ju dëshiron shëndet dhe lumturi së bashku me familjet e juaja”, përfundon njoftimi i Federatës së Boksit të Kosovës. /Gazeta Express/