BE-ja ia bën një dhuratë diktatorit Lukashenko për vizat, Kosova mbetet e izoluar - Gazeta Express
string(77) "be-ia-ben-nje-dhurate-diktatorit-lukashenko-per-vizat-kosova-mbetet-e-izoluar"

BE-ja ia bën një dhuratë diktatorit Lukashenko për vizat, Kosova mbetet e izoluar

Gazeta Express

10/01/2020 13:01

Bashkimi Evropian ka vendosur që t’ia lehtësojë Bjellorusisë procesin e marrjes së liberalizimit të vizave. Një vendim i tillë po shihet si një hap përfundimtar që mund të çojë drejt lëvizjes së lirë të qytetarëve të ish-republikës sovjetike në Zonën Schengen, raporton Gazeta Express

E një gjë e tillë ka nxitur reagime të shumta në rrjete sociale, sidomos në Twitter, duke qenë se qytetarët e Republikës së Kosovës vazhdojnë të mbesin të vetmit të izoluar në Ballkanin Perëndimor, edhe përkundër faktit se Prishtina zyrtare ka përmbushur kushtet për liberalizim.

Lexo Edhe:

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka shprehur habinë e tij se si një vend diktatorial pa sundim të ligjit po e merr liberalizimin e vizave.

“Kjo është jashtëzakonisht irrituese dhe e keqe. Dhe natyrisht raciste”, ka shkruar Selimi në Twitter.

Kanë reaguar ndërkohë edhe organizata të ndryshme Evropiane. Lëvizja “Paneuropa Ostreich”, kanë thënë se është e qartë tashmë se Këshilli Evropian dhe Qeveritë e BE-së kanë thyer premtimin e tyre sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Nëse s’mund ta mbash, atëherë mos e premto”, thuhet në reagimin e Paneuropa Ostereich.

Lehtësimin për liberalizimin e vizave me Bjellorusinë e ka nënshkruar Komisionerja për Punë të Brendshme e BE-së, Ylva Johansson, më 8 janar të këtij viti.

“Sot kemi nënshkruar lehtësim për vizat dhe rikthim të marrëveshjeve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Bjellorusisë. Një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet tona bilaterale”, ka shkruar Johansson.

Një lëvizje e tillë e BE-së karshi Bjellorusisë po ndodh edhe përkundër faktit se ish-republika sovjetike është një prej vendeve më të korruptuara dhe me mungesë pothuajse totale të demokracisë.

Sipas të dhënave të ‘Freedom House’, Bjellorusia është vendi me shkallën më të lartë të korrupsionit dhe të mungesës së demokracisë.

Ndërkohë, Kosova sa u përket këtyre dy fushave është dukshëm më mirë se Bjellorusia.

Ndërkohë, vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet që të merret në gjysmën e dytë të vitit 2020, pasi që presidencën e Bashkimit Evropian do ta udhëheqë Gjermania, një prej vendeve të fuqishme që përkrah Kosovën në rrugën drejt lëvizjes së lirë brenda Schengenit.

Në 6 muajt e parë të këtij viti, kur BE-në do të udhëheqë Kroacia, nuk pritet të ketë ndonjë lëvizje pozitive. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman, duke thënë se edhe përkundër dëshirës që Kosovës t’i liberalizohen vizat, një gjë e tillë duket shumë e vështirë.

Franca si një prej shteteve anëtare më të fuqishme të BE-së, insiston se ende nuk janë pjekur kushtet që Kosova të marrë liberalizimin e vizave, duke përmendur nevojën për përmirësim në fushën e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. /GazetaExpress/