Bayern Munichu nuk dëshiron ta humbasë Michael Olisen dhe po punon për ta mbajtur në skuadër, mes interesimit të madh që vjen nga klube të tjera evropiane.
Megjithatë, drejtuesit bavarezë kanë nisur të mendojnë edhe për një alternativë, në rast se francezi largohet gjatë këtij ose afateve të tjera të ardhshme kalimtare.
Sipas raportimeve të “FC Bayern Insider”, emri që pëlqehet më shumë është ai i Morgan Gibbs-White, mesfushorit ofanziv të Nottingham Forest, përcjell “Gazeta Express”.
Për momentin, një transferim duket i vështirë. Pas shitjes së Elliot Anderson te Manchester City për rreth 116 milionë funte, Nottingham Forest nuk ka nevojë të shesë dhe synon t’i mbajë lojtarët e tij më të rëndësishëm.
Pronari Evangelos Marinakis dhe trajneri Oliver Glasner janë të vendosur ta forcojnë skuadrën, jo ta dobësojnë atë.
Gibbs-White konsiderohet si njëri nga lojtarët kyç të ekipit, pasi sezonin e kaluar i realizoi 18 gola dhe 7 asistime në të gjitha garat.
Edhe pse e pati një sezon të shkëlqyer, kjo nuk i mjaftoi për ta siguruar një vend në Kombëtaren e Anglisë.
Verën e kaluar ai ishte shumë pranë transferimit te Tottenhami, por në fund e vazhdoi kontratën për tri vjet, duke u bërë lojtari më i paguar në historinë e Nottingham Forest.
Një detaj që mund të ndikojë në zhvillimet e ardhshme është fakti se Gibbs-White ka kaluar te agjencia ROOF, e cila ka marrëdhënie shumë të mira me Bayern Munichun.
Sipas “Daily Mail”, nëse Michael Olise largohet nga Bayerni, me Real Madridin që vazhdon ta monitorojë nga afër, atëherë Gibbs-White do të jetë një nga kandidatët kryesorë për ta zëvendësuar.
Megjithatë, për momentin bëhet fjalë vetëm për një skenar të mundshëm dhe jo për negociata konkrete. /Gazeta Express