Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka marrë vendim për ta shkëputur kontratën me Art Motion për të vazhduar me transmetimin e ndeshjeve në një operator tjetër televiziv
FBK në mbledhjen e tyre të fundit ka marrë vendim që të ndërpresë bashkëpunimin me Art Motion.
Në të njëjtën mbledhje, ata kanë konfirmuar që kanë lidhur marrëveshje me kompaninë “Kujtesa” për të transmetuar tash eë tutje ndeshjet e Superligës së Kosovës në basketboll.
FBK po ashtu ka thënë se duke marrë parasysh pandeminë Covid-19 dhe gjendjen e anëtarëve të vet, ka marrë vendim që Final 8 i Kupës së Kosovës, që do të mbahet me datë 3 deri me 7 shkurt, të zhvillohet në Rahovec. /GazetaExpress/
Njoftimi i FBK-së:
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në mbledhjen e mbajtur më 11.01.2021 në Prishtinë ka shqyrtuar situatën aktuale në basketbollin kosovar, rrethanat e krijuara nga pandemia globale dhe gjendjen e anëtarëve të vet, dhe ndër të tjera, ka vendosur si në vijim:
I ka miratuar në parim Raportin e aktiviteteve të FBK-së të vitit 2020; Planin e Veprimit 2021, Planin Financiar 2021, Planin e Marketingut 2021;
Ka vendosur që KB Rahoveci të jetë organizator i Final 8 Kupës së Kosovës 2021 në datat 03-07.02.2021;
I ka miratuar propozimet në parim, konform Statutit të FBK-së, për Këshillin Profesional, Komitetin Ekzekutiv, dhe Komisionet funksionale dhe këshillëdhënëse të FBK-së;
E ka autorizuar Sekretaren e Përgjithshme për përgatitjen e Rregullores së Komisioneve të FBK-së dhe përditësimin e Rregullores së Përfaqësueseve të Kosovës;
I ka miratuar propozimet e Sekretares së Përgjithshme, konform Rregullores për Organizim të Brendshëm të FBK-së, për dërgimin e Drejtorit Teknik dhe Zyrtarit për Media të FBK-së në kurse për ngritje profesionale të tyre;
Ka vendosur që të rrisë fondin e shpërblimeve për Superligën e Femrave: 6,000.00 (gjashtë mijë) Euro për ekipin kampion, 3,000.00 (tre mijë) Euro për ekipin nënkampion dhe nga 1,000.00 (një mijë) Euro për ekipet që e sigurojnë nga një vend në play-off. Në Superligën e Meshkujve e ka konfirmuar fondin e shpërblimeve nga viti i kaluar: 12,000.00 (dymbëdhjetë mijë) Euro do t’i ndahen ekipit kampion, 6,000.00 (gjashtë mijë) Euro për ekipin nënkampion dhe nga 3,000.00 (tre mijë) Euro do të ndahen për ekipet që e sigurojnë nga një vend në katërshen e madhe;
I ka konfirmuar trajnerët që do të punojnë në projektin zhvillimor të FBK-së dhe FIBA Europe, Youth Development Fund: Valentin Spaqi, Hasan Bytyqi, Kimete Haliti dhe Valbona Bytyqi;
Ka vendosur që të ndërpresë bashkëpunimin me kompaninë ART MOTION dhe PRINCE CAFFE për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjes;
Ka vendosur që të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë KUJTESA për shitjen e të drejtave televizive dhe për sponsorizimin e Superligës së Kosovës në basketboll.
Vendimet hyjnë në fuqi në ditën e miratimit të tyre.
Në emër të Bordit të FBK-së,
Arben FETAHU
Kryetar
Federata e Basketbollit të Kosovës