Barcelona ka zyrtarizuar interesimin për sulmuesin anësor të Borussia Dortmundit, Karim Adeyemi, duke dërguar ofertë zyrtare për reprezentuesin gjerman.
24-vjeçari raportohet se ka njoftuar klubin gjerman për dëshirën e tij për t’u larguar, pasi nuk ka arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës në “Signal Iduna Park”.
Sipas raportimeve nga Sky Sport, Barcelona ka lëvizur shpejt për të siguruar shërbimet e Adeyemit, ndërsa lojtari është i gatshëm t’i bashkohet kampionëve të La Ligas gjatë kësaj vere.

Adeyemi thuhet se ka arritur marrëveshje verbale me Barcelonën për një kontratë afatgjatë, çka e bën transferimin të mundshëm nëse dy klubet bien dakord për çmimin.
Borussia Dortmundi e vlerëson lojtarin rreth 40 milionë euro. Duke qenë se kontrata e tij po hyn në fazën e fundit, klubi gjerman duhet të vendosë nëse do ta shesë tani apo të rrezikojë ta humbasë për një shumë më të ulët në të ardhmen.
Një rol të rëndësishëm në këtë operacion ka trajneri i Barcelonës, Hansi Flick. Ai e njeh mirë profilin e Adeyemit nga periudha te kombëtarja gjermane dhe besohet se e sheh atë si lojtar ideal për stilin e tij të lojës.
Shpejtësia, depërtimet direkte dhe aftësia për të luajtur në disa pozicione të sulmit e bëjnë Adeyemin një opsion shumë tërheqës për Barcelonën. Ai mund të luajë në të dy krahët, por edhe më afër qendrës, duke i dhënë Flick më shumë zgjidhje në repartin ofensiv ku tashmë janë Lamine Yamal dhe Raphinha.
Në negociata ka pasur rol edhe agjenti i njohur Jorge Mendes, i cili përfaqëson lojtarin. Mendes raportohet se ia kishte ofruar Adeyemin Barcelonës edhe më herët, por kufizimet financiare të klubit katalanas e kishin bërë marrëveshjen të pamundur në atë kohë.

Tani, me një qasje më të strukturuar, operacioni duket se ka marrë hov serioz.
Megjithatë, interesimi për Adeyemin nuk do të thotë se Barcelona ka hequr dorë nga Julian Alvarez. Sipas Fabrizio Romanos, transferimi i mundshëm i anësorit gjerman nuk ndikon në planet e klubit për të sjellë një qendërsulmues të ri.
Alvarez mbetet objektivi kryesor për rolin e “numrit 9”, ndërsa Barcelona e ndjek argjentinasin prej muajit maj. Drejtuesit e klubit e shohin atë si sulmuesin që mund t’i japë skuadrës më shumë garanci në zonë dhe konkurrencë afatgjatë në repartin ofensiv.
Për shkak të situatës financiare, Barcelona po shqyrton edhe mënyra kreative për ta ulur shumën që duhet t’i paguajë Dortmundit. Një nga opsionet është përfshirja e lojtarëve të rinj ose atyre që nuk kanë shumë hapësira në skuadër.
Emrat e Roony Bardghji dhe Guille Fernandez janë përmendur si pjesë e mundshme e një marrëveshjeje shkëmbimi. Bardghji kishte ardhur me pritshmëri të mëdha, por ka mbetur i pakënaqur me mungesën e minutave, ndërsa Fernandez është një talent që Dortmundi e ka ndjekur prej kohësh.
Për momentin, dëshira e lojtarit është e qartë: Adeyemi e dëshiron Barcelonën. Tani mbetet që klubet të gjejnë gjuhën e përbashkët për ta finalizuar një nga lëvizjet më interesante të merkatos së verës. /GazetaExpress/