Azemi: Raporti i DASH konfirmon të gjitha akuzat për afera korruptive - pushteti mbrojti Berishajn e Krasniqin - Gazeta Express
string(107) "azemi-raporti-i-dash-konfirmon-te-gjitha-akuzat-per-afera-korruptive-pushteti-mbrojti-berishajn-e-krasniqin"

Azemi: Raporti i DASH konfirmon të gjitha akuzat për afera korruptive – pushteti mbrojti Berishajn e Krasniqin

Lajme

Gazeta Express

23/04/2024 13:36

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka thënë se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit konfirmon akuzat që LDK’ja ka bërë ndaj qeverisë për afera korruptive dhe “mbrojtjen e njerëzve të korruptuar”.

Ai ka përmedur rastin e Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, si dhe të Kryeshefit të pezulluar të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, duke thënë se pushteti u doli në mbrojtje me të gjitha kapacitetet që kishte, raporton Express.

Lexo Edhe:

Sipas tij, Qeveria Kurti po i sjell vendit dëme milionëshe.

“Ky pushtet që me të gjitha kapacitetet e tij i doli në mbrojtje Martin Berishajt e Nagip Krasniqit, që ministrat e tij përballen me drejtësinë e që 240 milionë euro nënshkroi 889 kontrata njëburimore, po merr vërejtje serioze nga raporti amerikan. Përveç për korrupsionin serioz qeveritar, raporti flet edhe për problemet me pavarësinë e gjyqësorit, ku qeveria vazhdimisht ka ndërhyrë. Shumë herë edhe duke e sulmuar këtë sistem. Ky pushtet po sjell veç dëme. Kjo qeveri që thirrej në luftën ndaj korrupsionit, është e zhytur në afera. Dëmet që po ia sjellin vendit janë milionëshe. Këtë po e themi prej kohësh. Këtë po e thotë edhe raporti i DASH-it”, ka thënë Azemi.

Sipas raportit të DASH, Qeveria e Kosovës nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive për korrupsionin në qeveri.

“Ligji parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive. Pati raportime të shumta për korrupsion në qeveri. Zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe sundimi i dobët i ligjit në përgjithësi kontribuuan në këtë problem. Rastet e korrupsionit i nënshtroheshin rregullisht apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte skadimin e parashkrimit”, thuhet në pjesën për korrupsionin të këtij raporti.