As Borell nuk e vendos si vijë të kuqe kufirin, Kosova e Serbia ta definojnë agjendën e dialogut - Gazeta Express
string(95) "as-borell-nuk-e-vendos-si-vije-te-kuqe-kufirin-kosova-e-serbia-ta-definojne-agjenden-e-dialogut"

As Borell nuk e vendos si vijë të kuqe kufirin, Kosova e Serbia ta definojnë agjendën e dialogut

Gazeta Express

20/12/2019 12:06

Pasuesi i Federica Mogherinit në postin e shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borell, kërkon që Kosova të krijojë një qeveri të re sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të rinisë dialogu Prishtinë – Beograd, i cili ka më shumë se një vit që është bllokuar. Zyra e Borell-it thotë që taksa duhet të hiqet, Kosova e Serbia të përmbahen nga provokimet dhe të krijohet një ambient për negociata, në të cilat të zgjidhen një herë e përgjithmonë çështjet e mbetura pezull. Sa u përket vijave të kuqe në dialog, Borell thotë se është në duart e Prishtinës dhe Beogradit të caktojnë çfarë diskutojnë e çfarë jo

Besnik VELIU

Lexo Edhe:

Përveç SHBA-së, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, krijimin sa më të shpejtë të një qeverie të re në Kosovë po e kërkon edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell. Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, zyra e shefit të ri të diplomacisë së BE-së thotë se Kosovën e presin punë të mëdha, duke specifikuar rinisjen sa më të shpejtë të dialogut me Serbinë.

“Meqenëse Kosovën e presin punë të rëndësishme në vijim, krijimi i një qeverie të re është i nevojshëm sa më shpejt që të jetë e mundur, për të punuar në reforma, në mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, sundimin e ligjit, si dhe për të punuar për një rifillim të shpejtë të dialogut me Beogradin të ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo është në të mirë të popullit të Kosovës dhe të tërë rajonit”, ka thënë për Express, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian.

Stano ka thënë se Borell-i do të vizitojë rajonin dhe veçanërisht Kosovën pas krijimit të qeverisë, meqë e konsideron Ballkanin Perëndimor si prioritet të mandatit të tij.

“Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell, ka treguar qartë se Ballkani Perëndimor është prioritet në mandatin e tij dhe se ai synon të vizitojë rajonin sa më shpejtë që të jetë e mundur, veçanërisht, Kosovën pas krijimit të qeverisë”, ka shtuar zëdhënësi i BE-së.

Tutje nga zyra e Borell-it bëjnë thirrje për Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga veprime dhe deklarata të cilat mund të perceptohen si provokime, me qëllim të rinisjes sa më të shpejtë të dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë.

“Sa i përket dialogut të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesi i Lartë dhe Zëvendës Presidenti: bashkë Kosova dhe Serbia është e nevojshme që të kontribuojnë për një mjedis të favorshëm për rifillimin e plotë të negociatave dhe të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që mund të perceptohen si provokim” , ka thënë Stano për Gazetën Express.

Borell gjithashtu kërkon heqjen e taksës, meqë është shkelje e marrëveshjes së CEFTA-s dhe pengesë për rinisjen e negociatave Prishtinë-Beograd.

“Pozicioni ynë sa i përket taksës së Kosovës për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina mbetet i pandryshueshëm, përbën shkelje të CEFTA-s, minojnë shtetin e së drejtës, janë një pengesë për rifillimin e dialogut, prandaj duhet të hiqen”, potencohet nga zyra për media e shefit të diplomacisë së BE-së.

I pyetur nëse Borell-i do të vendosë vija të kuqe në tryezën e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe nëse do të lejojë që palët të flasin për kufij, siç kishte bërë Mogherini, në përgjigjen e dhënë për Express thuhet se u takon palëve që të caktojnë agjendën dhe përmbajtjen e takimeve.

“Përfaqësuesi i Lartë i BE-së dhe zëvendëspresidenti lehtëson dialogun në mes të Beogradit dhe Prishtinës, proces që është rregulluar nga Asambleja Gjenerale e Kombeve të Bashkuara dhe mbështetur nga shtetet anëtare të BE-së. U takon dy palëve, që të definojnë agjendën e dialogut dhe gjithashtu ritmin e përmbajtjen”, thekson Stano.

 Zëdhënësi i Borell-it thotë se qëllimi i dialogut është zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura një herë e përgjithmonë, në mënyrë që të ndihmohet edhe Kosova dhe Serbia në rrugën drejt integrimeve evropiane.

“Dialogu siç e dini ka për qëllim zgjidhjen e të gjithë çështjeve të pazgjidhura një herë e përgjithmonë, duke ndihmuar dy palët që të arrijnë progres në rrugën evropiane, e më e rëndësishmja përmirësimin e jetës së njerëzve, jo vetëm në Serbi e Kosovës, por në të gjithë rajonin”, ka thënë ndër të tjera Stano.

Sa i përket çështjes së implementimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, nga zyra e Borell-it thonë se presin që palët t’i implemetojnë të gjitha marrëveshjet të arritura nën kornizën e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne presim që të gjitha marrëveshjet e arritura nën kornizën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja të implementohen dhe respektohen”, ka përfunduar Stano për Gazetën Express.

Thirrje për krijimin e qeverisë kanë bërë dje edhe ambasadat e huaja në Kosovë. Ndërkohë Gjermania, me qëllim të nxitjes së dy partive, LDK’së dhe VV’së, drejt arritjes së një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, ka dërguar në Kosovë dy deputetë, të cilët kanë qartësuar se si duhet të sillen palët dhe për çfarë duhet të merren vesh tani, e për çfarë jo.

Deputeti i CSU, Christian Schmidt dhe ai i CDU’së, Peter Beyer, kanë thënë se dy partitë nuk duhet të humbin kohë me detaje teknike. Ndërkohë kanë potencuar se tashmë nevojitet krijimi i qeverisë dhe jo zgjedhja e presidentit.

Pritet të shihet ndërkohë se a do të reflektojnë Mustafa dhe Kurti pas gjithë avokimit të ndërkombëtareve për krijimin e qeverisë së re. Dy liderët nuk janë takuar prej një jave, duke qenë se palët janë barrikaduar në çështjen e përfshirjes së postit të presidentit në marrëveshje finale për bashkëqeverisje.

Palët nuk kanë lëvizur nga pozicionet edhe përkundër faktit se presidenti Hashim Thaçi ka caktuar 26 dhjetorin si datë për konstituimin e institucioneve të reja.

LDK dhe Vetëvendosje njëzëri janë pajtuar që do ta heqin taksën 100 % ndaj produkteve serbe dhe që do ta zëvendësojnë më reciprocitet. Një veprim i tillë pritet që t’i hapë rrugë dialogut./GazetaExpress/