“Arturo UI” rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës - Gazeta Express
string(59) "arturo-ui-rikthehet-ne-skenen-e-teatrit-kombetar-te-kosoves"

“Arturo UI” rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës

Gazeta Express

24/02/2020 15:31

Krahas krijimtarisë së gjatë artistike, “Arturo Ui” ishte shfaqja e fundit, të cilën regjisori tashmë i ndjerë, Bekim Lumi, kishte arritur ta sjellë në skenë me gjithë gjendjen e rëndë shëndetësore.

E, shfaqja e cila ishte testamenti i fundit artistik i Lumit, nga 24 shkurti do të rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Lexo Edhe:

Me propozim të menaxhmentit dhe miratimin e Këshillit Drejtues të TKK-së, si dhe me gatishmërinë e aktorëve të shfaqjes, “Arturo UI” do të jetë pjesë e repertorit të rregullt të teatrit gjatë këtij viti.

“Teatri Kombëtar i Kosovës njofton opinionin artdashës, mediat elektronike dhe ato të shkruara që nga data 24 Shkurt, rikthehet në repertorin e rregullt shfaqja e regjisorit të ndjerë Bekim Lumi”, thuhet ndër të tjerash me këtë rast në deklaratën e lëshuar nga Teatri Kombëtar.

Rikthimi i kësaj shfaqje në Teatër është i një rëndësie të veçantë për aktorët që luajnë në të.

Pjesë e kësaj shfaqje janë edhe aktorët: Bujar Ahmeti, Afrim Muçaj, Afrim Kasapolli, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi Alban Rexhaj dhe Labinot Raci.

Ky i fundit u shpreh shumë i emocionuar për këtë rikthim të shfaqjes, rikthim ky që vjen si kujtesë për regjisorin e njohur kosovar.

Vdekja e regjisorit dhe profesorit të Universitetit të Prishtinës i kishte pikëlluar jo vetëm familjarët por edhe bashkëpunëtorët, kolegët e tij dhe artdashësit.

Sipas komunitetit artistik në vend, vdekja e Bekim Lumit është një prej humbjeve më të mëdha në skenën tonë artistike viteve të fundit.

Puna e Lumit ishte e pakontestueshme pasi çdo projekt i tij ka lënë gjurmë në skenën e teatrit në vend.

Për shkak të temës që e trajton dhe për shkak të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, drama “Arturo Ui” ndërlidhet me shumë nga trendet dhe zhvillimet nëpër botë. E, tragjikisht, edhe me Kosovën e pasluftës. Si e tillë, ajo vlerësohet si një nga satirat më të mira politike dhe historike të shekullit ‘20. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, trysnitë, tagri dhe kërcënimet ndaj tregtarëve, politikanëve e gazetarëve, deri edhe vrasjet e tyre, alibitë dhe gjyqet farsë, detyrimet e dhunshme dhe shantazhet ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame.

Kjo shfaqje, vitin e kaluar është shpërblyer nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me çmimin vjetor si Shfaqja më e mirë e vitit, dhe regjia më e mirë.