Disa pajisje të njohura të Apple po i afrohen zyrtarisht fundit të ciklit të mbështetjes, pasi kompania i ka shtuar në listat e produkteve “vintage” dhe “obsolete”. Kjo do të thotë se përdoruesit mund ta kenë gjithnjë e më të vështirë të sigurojnë riparime, pjesë zëvendësuese apo mbështetje zyrtare.
Mes produkteve të prekura është MacBook Air 13-inç i vitit 2017, të cilin Apple tashmë e klasifikon si “vintage”. Kjo nënkupton se laptopi mund të riparohet vetëm nëse pjesët janë ende të disponueshme në Apple Store ose te ofruesit e autorizuar të shërbimit.
Apple ka zhvendosur gjithashtu të gjitha versionet e iPad mini 4 dhe Apple TV HD 32GB në listën “obsolete”, duke ndërprerë plotësisht shërbimin zyrtar të riparimit dhe mbështetjen për këto pajisje.
Apple TV HD u prezantua fillimisht në vitin 2015 dhe u hoq nga shitja shtatë vjet më vonë, pas lançimit të Apple TV 4K të gjeneratës së tretë në vitin 2022. Për momentin, vetëm versioni 32GB është klasifikuar zyrtarisht si i vjetëruar.
Sipas sistemit të Apple, një produkt konsiderohet “vintage” kur kompania ka ndaluar shpërndarjen e tij për shitje për më shumë se pesë vjet. Ndërsa “obsolete” konsiderohen produktet që Apple nuk i shet më prej më shumë se shtatë vitesh.

“Apple ndërpret të gjitha shërbimet harduerike për produktet obsolete dhe ofruesit e shërbimit nuk mund të porosisin pjesë për to”, shpjegon kompania në faqen e saj të mbështetjes.
Apple thotë se klientët zakonisht mund të sigurojnë riparime dhe pjesë zëvendësuese për iPhone, iPad, Mac, Apple Watch, AirPods dhe pajisje të tjera për të paktën pesë vjet pasi produktet ndalojnë së shituri. Në disa raste, mbështetja mund të zgjasë deri në shtatë vjet, në varësi të ligjeve lokale dhe disponueshmërisë së pjesëve.
Disa laptopë Mac mund të kualifikohen edhe për riparim vetëm të baterisë deri në 10 vjet pas përfundimit të shitjeve. Megjithatë, pasi një produkt klasifikohet si teknologjikisht i vjetëruar, Apple gradualisht ndalon shërbimin harduerik dhe mbështetjen për riparime.
Kompania thekson se disa pajisje mund të vazhdojnë të marrin përditësime softuerike dhe mund të shërbehen në rrjetin e saj prej më shumë se 5,000 qendrave të certifikuara të riparimit, për sa kohë që pjesët janë ende në dispozicion.
Lajmi për këto tri produkte vjen pas ndërprerjes së 15 pajisjeve nga Apple në muajin mars, pas prezantimit të disa modeleve të reja një javë më herët. Si pjesë e rifreskimit të linjës, kompania hoqi në heshtje disa pajisje të vjetra nga oferta, një praktikë e zakonshme kur prezantohen produkte të reja.
Këto modele më të vjetra zakonisht tërhiqen menjëherë pas lançimit të versioneve të reja, në mënyrë që linja e produkteve të mbetet më e thjeshtë dhe e fokusuar te pajisjet më të reja e më të fuqishme.

Megjithatë, disa nga pajisjet e fundit të hequra nga shitja janë vetëm dy vjeçare. Mes tyre përmenden iPhone 16e me çip A18, modelet 11 dhe 13 inç të iPad Air me procesor M3, si dhe MacBook Air 13 dhe 15 inç me çip M4, të gjitha të prezantuara në vitin 2025.
Janë tërhequr edhe disa konfigurime të MacBook Pro, përfshirë modelet 14 dhe 16 inç me procesorë M4 Pro dhe M4 Max, të prezantuara në vitin 2024.
Ndryshimet kanë prekur edhe linjën profesionale desktop të Apple, ku Mac Studio me çip M3 Ultra dhe 512GB memorie është shfaqur gjithashtu në listën e produkteve të ndërprera.
Nga oferta aktive janë hequr edhe disa produkte ekrani, përfshirë Studio Display me çip A13 Bionic, të prezantuar në vitin 2022, si dhe Pro Display XDR, ekrani premium i kompanisë i lançuar në vitin 2019. Po ashtu janë hequr edhe aksesorët e lidhur me këtë ekran, si Pro Stand dhe adaptoi VESA për Pro Display XDR.
Qëllimi i këtyre ndryshimeve është zëvendësimi i pajisjeve më të vjetra me versione të përditësuara. iPhone 16e është zëvendësuar nga iPhone 17e, ndërsa iPad Air me M3 është zëvendësuar nga një model më i ri me çip M4. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me MacBook Air, ku modelet me M4 janë zëvendësuar nga versione të përditësuara me procesorët më të rinj M5.
Një ndryshim i papritur është ndërprerja e MacBook Pro 512GB me çip M5, të cilin Apple e prezantoi në tetor 2025 me çmim fillestar 1,599 dollarë. Kompania e ka zëvendësuar me një konfigurim bazë të ri, me 1TB memorie të brendshme dhe çmim fillestar pak më të lartë, 1,699 dollarë.
Ende nuk është e qartë nëse ky ndryshim lidhet me presionet më të gjera të furnizimit në industrinë teknologjike, veçanërisht për komponentët e memories dhe ruajtjes së të dhënave, që kanë detyruar disa prodhues të rishikojnë konfigurimet e tyre. /GazetaExpress/