Nuk ka shumë gjëra më bezdisëse sesa të niseni me makinë dhe të përfundoni të bllokuar në një kolonë të gjatë trafiku.
Megjithatë, sipas ekspertëve, reagimi më i zakonshëm i shoferëve – kalimi nga njëra korsi në tjetrën – jo vetëm që rrallë kursen kohë, por mund ta përkeqësojë situatën për të gjithë.
Doktoresha Randa Herzallah thotë se matematika e trafikut tregon se ndërrimi i vazhdueshëm i korsive zakonisht nuk sjell përfitimin që shoferët presin.
“Nëse e keni parë ndonjëherë me zili korsinë pranë jush, të bindur se po lëviz më shpejt, nuk jeni të vetmit”, shpjegoi ajo.
“Shumica prej nesh besojnë instinktivisht se kalimi në një korsi tjetër do të na çojë më shpejt në destinacion. Por matematika sugjeron se ky perceptim zakonisht është i gabuar.”
Pse ndërrimi i korsisë e përkeqëson trafikun?
Kur një automjet kalon nga njëra korsi në tjetrën, shoferët përreth duhet të reagojnë duke ngadalësuar, frenuar ose ndryshuar distancën e tyre.
Një manovër e vetme mund të krijojë vetëm një shqetësim të vogël, por kur shumë shoferë veprojnë në të njëjtën mënyrë, këto lëvizje grumbullohen dhe krijojnë valë ngadalësimi.
“Ndërrimi i korsisë krijon një çrregullim të vogël, ndaj të cilit duhet të reagojnë automjetet fqinje”, tha Herzallah.
“Nëse shumë shoferë bëjnë të njëjtën gjë, këto shqetësime shtohen dhe rrisin mundësinë e krijimit të valëve të trafikut.”
Kështu, një vendim që duket i zgjuar për një shofer të vetëm mund ta përkeqësojë qarkullimin për të gjithë të tjerët.
Tri rregulla për të lëvizur më mirë në kolonë
Sipas ekspertes, shoferët mund ta zvogëlojnë ndikimin e trafikut duke ndjekur tri këshilla të thjeshta.
E para është mbajtja e një distance të sigurt nga automjeti përpara. Hapësira e mjaftueshme u jep shoferëve mundësinë të reagojnë pa frenime të papritura.
E dyta është përshpejtimi dhe frenimi gradual. Lëvizjet e buta ndihmojnë në ruajtjen e një ritmi më të qëndrueshëm dhe pengojnë krijimin e kolonave që ndalojnë e nisen vazhdimisht.

Këshilla e tretë është shmangia e ndërrimit të shpeshtë të korsive për të fituar vetëm disa metra.
“Matematika e aplikuar tregon se mënyra më e shpejtë për të mbërritur në destinacion nuk është të ngisni në mënyrë më agresive”, shpjegoi Herzallah.
“Mënyra më e mirë është të ndihmoni që i gjithë sistemi i trafikut të mbetet i qëndrueshëm.”
Nëse një numër i madh shoferësh do t’i zbatonin këto këshilla, koha e kaluar në kolona mund të zvogëlohej.
Si krijohen valët e trafikut?
Kolonat nuk shkaktohen gjithmonë nga aksidentet, punimet në rrugë apo korsitë e mbyllura.
Ndonjëherë mjafton që një shofer të frenojë papritur. Automjeti prapa tij frenon pak më fort, ndërsa çdo makinë pasuese detyrohet të ngadalësojë edhe më shumë.
Ky efekt përhapet prapa si një valë, derisa automjetet ndalojnë plotësisht, edhe pse përpara mund të mos ketë ndonjë pengesë të dukshme.
Mbajtja e distancës dhe frenimi gradual mund të ndihmojnë në thithjen e këtyre valëve dhe ta mbajnë qarkullimin më të rrjedhshëm.
Semaforë më të gjatë për të dekurajuar përdorimin e makinave
Këshillat vijnë pak pasi studiues të tjerë sugjeruan se rritja e kohës së pritjes së makinave në semaforë mund t’i nxisë qytetarët të përdorin forma më të qëndrueshme transporti.
Sipas tyre, semaforët nuk ndikojnë vetëm në qarkullimin e automjeteve, por edhe në vendimet që marrin njerëzit për mënyrën e udhëtimit.
Nëse shoferët detyrohen të presin më gjatë, ata mund të fillojnë të shqyrtojnë alternativa si transporti publik, ecja ose biçikleta.
Studiuesit propozojnë gjithashtu që autobusëve, çiklistëve dhe këmbësorëve t’u jepet më shumë kohë me dritë të gjelbër, duke i bërë këto alternativa më tërheqëse.
“Simulimet tona tregojnë se një ulje e moderuar e kohës së gjelbër të rezervuar për makinat mund t’i orientojë udhëtarët drejt ecjes, biçikletave dhe transportit publik, pa qenë të nevojshme investime të kushtueshme në infrastrukturë”, deklaruan studiuesit.
Sipas tyre, semaforët nuk janë vetëm mjete për rregullimin e trafikut, por mund të përdoren edhe për promovimin e një transporti urban më të qëndrueshëm dhe qyteteve më të shëndetshme.
Udhëtimet me makinë mund të zgjasin më shumë
Studimi sugjeron se një ulje prej 10 deri në 20 për qind e kohës së dritës së gjelbër për makinat mund të ndikojë në zakonet e udhëtarëve.
Megjithatë, kjo masë mund t’i shtojë disa minuta çdo udhëtimi me makinë dhe ta bëjë atë dukshëm më të gjatë.
Për shoferët që vazhdojnë ta përdorin automjetin, këshilla kryesore mbetet e thjeshtë: të mbajnë distancën, të shmangin frenimet e papritura dhe të rezistojnë ndaj tundimit për të kaluar vazhdimisht nga njëra korsi në tjetrën. /GazetaExpress/
Zbuloni si ndërtohet cilësia përmes mbi 1.000 kontrolleve, testimeve të pavarura dhe respektimit të standardeve strikte të Bashkimit Evropian.*...