“Anjeza nuk u zgjua”, fati i femrës që nuk është heroinë - Gazeta Express
string(53) "anjeza-nuk-u-zgjua-fati-i-femres-qe-nuk-eshte-heroine"

“Anjeza nuk u zgjua”, fati i femrës që nuk është heroinë

Gazeta Express

25/05/2020 14:51

Autori Preç Zogaj, i njohur jo vetëm si poet i shquar, por dhe si një shkrimtar me përvojë në lëvrimin e prozës (mjaft të përmendësh novelat, romanet “Pa histori”, “Kufiri” etj.) e ka shkruar romanin brenda psikologjisë së at’hershme dhe jo duke e kundruar të djeshmen nga e sotmja. Ai vetëm rrëfen dhe nuk mban qëndrime rreth ngjarjeve dhe personazheve

Ndue Dedaj

Lexo Edhe:

Shkrimtari i njohur Preç Zogaj, në Panairin e Librit, nëntorin e kaluar, erdhi me romanin me titullin intrigues, “Anjeza nuk u zgjua”. Duheshin lexuar afro pesëqind faqe libër për ta marrë vesh fatin e trishtë të vajzës protagoniste, që nuk kishte si të “zgjohej”, përderisa koha në të cilën rronte ishte duke u shuar. Romani krijon shtratin e vet, ashtu si Drini, ndanë të cilit zhvillohen ngjarjet, në gjysmën e dytë të viteve ’80, duke u njohur lexuesi gjurmë pas gjurme me Anjezën, një personazh të pahasur më parë.

Anjeza niset si një ëndërr dhe përfundon si një robinë e rrethanave. Autori vetëm sa rrugëton me të, duke e lënë Anjezën në fatin e saj, që ta luajë vetveten deri në fund. Nuk e nxit, as nuk e pengon. Nuk krijon kurrfarë artifici letrar, që do ta bënte të panatyrshëm personazhin e vet, rreth të cilës më shumë vërtiten se veprojnë të tjerët, ku vetëm Davidi individualizohet dukshëm. Autori nuk ka dashur të merret dhe aq me galerinë, por me robinën, për ta dhënë deri në fund gjerësinë dhe thellësinë e një karakteri njerëzor si Anjeza, që është ai i një vajzë fshati, tek e cila ka depërtuar qytet(ërim)i deri në inde, ani se në vendlindjen e saj ende nuk janë shuar jehonat e vjetra të malësive nga kanë zbritur të parët e saj.