Sulmuesi argjentinas, Julián Álvarez, ka dhënë sinjalin më të fortë deri më tani për një largim të mundshëm gjatë afatit kalimtar veror, duke deklaruar se dëshiron të transferohet për të realizuar një ëndërr të madhe në karrierën e tij.
“Gjëja më e mirë për mua është një transferim dhe dua ta përmbush ëndrrën time”, ka thënë Álvarez, në një deklaratë që pritet të ndezë edhe më shumë spekulimet rreth së ardhmes së tij.
Sipas raportimeve të fundit, sulmuesi argjentinas ka arritur tashmë një marrëveshje personale me FC Barcelona dhe mbetet i vendosur për t’u transferuar në “Camp Nou”. Megjithatë, realizimi i marrëveshjes varet ende nga negociatat mes klubeve.
Barcelona kishte paraqitur një ofertë prej 100 milionë eurosh për shërbimet e Álvarez disa javë më parë, por ajo ishte refuzuar nga klubi i tij aktual. Pavarësisht kësaj, katalanasit vazhdojnë të punojnë për ta finalizuar transferimin e njërit prej sulmuesve më të kërkuar në futbollin evropian.
Tashmë topi është në fushën e klubeve, ndërsa dëshira e lojtarit duket e qartë. Nëse palët arrijnë një marrëveshje financiare, Álvarez mund të bëjë hapin e madh drejt klubit që e konsideron si destinacionin e ëndrrave të tij.