Shkëlqimi dhe rënia e kryeministrit Keir Starmer - Gazeta Express
string(48) "shkelqimi-dhe-renia-e-kryeministrit-keir-starmer"

Lajme

Gazeta Express

22/06/2026 23:50

Shkëlqimi dhe rënia e kryeministrit Keir Starmer

Lajme

Gazeta Express

22/06/2026 23:50

Keir Starmer, njeriu që udhëhoqi Partinë Laburiste drejt një fitoreje historike në zgjedhjet britanike të korrikut 2024, u detyrua të japë dorëheqjen si kryeministër pas një periudhe të shkurtër, por tejet të vështirë në pushtet.

Edhe pse konsiderohej nga kundërshtarët si një politikan i ndershëm, punëtor dhe korrekt, ai përfundoi duke u bërë një nga kryeministrat më jopopullorë në historinë moderne të Britanisë së Madhe.

Starmer fitoi zgjedhjet me 411 vende në Dhomën e Komunëve, duke siguruar një shumicë dërrmuese parlamentare. Megjithatë, fitorja e tij u bazua në vetëm 34 për qind të votave kombëtare, çka tregonte se mbështetja reale popullore nuk ishte aq e fortë sa sugjeronte rezultati parlamentar. Në momentin e triumfit ai premtoi se Britania do të rifitonte të ardhmen e saj, por shumë shpejt u bë e qartë se qeverisja do të përballej me sfida të mëdha.

Sipas analistëve, problemi kryesor i Starmer ishte mungesa e një vizioni të qartë politik. Ai konsiderohej një administrator i aftë dhe një jurist i shkëlqyer, por jo një lider që mund të frymëzonte publikun apo partinë e tij. Profesori i njohur i politikës John Curtice argumenton se Starmer nuk arriti kurrë të shpjegonte qartë se çfarë përfaqësonte ai dhe Partia Laburiste. Sipas tij, kryeministri nuk kishte një narrativë politike afatgjatë dhe nuk ofronte një drejtim të qartë për vendin.

Kritika të ngjashme erdhën edhe nga profesorë të tjerë dhe komentatorë politikë, të cilët e përshkruanin Starmer si komunikues të dobët dhe tepër të kujdesshëm. Shumë votues ndjenë se ai nuk kishte aftësinë për të krijuar entuziazëm apo për të bindur qytetarët se qeveria e tij mund të sillte ndryshimin e premtuar.

Rënia e popullaritetit të tij ishte dramatike. Vetëm një vit pas marrjes së detyrës, sondazhet treguan se pëlqyeshmëria me punën e tij kishte rënë në minus 66 për qind, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë për një kryeministër britanik që nga fillimi i matjeve moderne. Edhe Liz Truss, e cila qëndroi vetëm 49 ditë në detyrë dhe u bë simbol i dështimit politik, nuk kishte arritur nivele kaq të ulëta pakënaqësie.

Kur Starmer mori pushtetin, Britania po përballej me një krizë të kostos së jetesës, financa publike të dobësuara dhe presion të madh mbi shërbimet shtetërore. Për të treguar se Laburistët mund të qeverisnin me përgjegjësi fiskale, qeveria e tij ndërmori masa kursimi që rezultuan shumë jopopullore.

Gabimi i parë i madh ishte kufizimi i ndihmës dimërore për pensionistët, një pagesë që ndihmonte të moshuarit të përballonin faturat e ngrohjes. Edhe pse qeveria më vonë u tërhoq nga kjo politikë, dëmi politik ishte bërë. Shumë qytetarë e panë këtë vendim si një sulm ndaj shtresave më të varfra të shoqërisë.

Në tetor 2024, qeveria prezantoi një buxhet që përfshinte rritje taksash. Edhe ky vendim shkaktoi reagime negative, pasi shumë familje dhe biznese po përballeshin tashmë me vështirësi ekonomike. Kritikët argumentuan se Laburistët kishin ardhur në pushtet duke premtuar përmirësim të jetës së qytetarëve, por po impononin barrë të re financiare.

Problemet nuk ndaluan me ekonominë. Brenda Partisë Laburiste filluan rebelime të hapura kundër udhëheqjes së Starmer. Deputetët e tij kundërshtuan disa reforma të rëndësishme, duke e detyruar të tërhiqej nga planet për uljen e përfitimeve sociale dhe ndryshime në taksimin e trashëgimisë. Këto kthesa të vazhdueshme krijuan perceptimin e një lideri të dobët dhe pa autoritet.

Një tjetër goditje erdhi nga emërimi i Peter Mandelson si ambasador në Shtetet e Bashkuara. Vendimi shkaktoi polemika për shkak të lidhjeve të mëparshme të Mandelson me Jeffrey Epstein, financierin amerikan të dënuar për krime seksuale. Kur u bë e ditur se Ministria e Jashtme kishte injoruar paralajmërimet e ekspertëve të sigurisë për këtë emërim, presioni mbi Starmer u shtua edhe më shumë.

Ndërkohë, Partia Laburiste filloi të humbte terren në zgjedhjet lokale. Fituesi më i madh ishte partia Reform UK e Nigel Farage, e cila ndërtoi mbështetjen e saj mbi kritikat ndaj emigracionit dhe establishmentit politik tradicional. Farage arriti të paraqitej si alternativa kryesore ndaj dy partive tradicionale britanike, Laburistëve dhe Konservatorëve.

Shumë analistë besojnë se Starmer nuk e kuptoi thellësinë e pakënaqësisë së qytetarëve britanikë. Ai mendonte se stabiliteti dhe menaxhimi i kujdesshëm do të mjaftonin për të rikthyer besimin në politikë. Por në një periudhë kur shumë njerëz kërkonin ndryshime të forta ekonomike dhe sociale, kjo qasje u perceptua si e vakët dhe pa ambicie.

Kriza brenda qeverisë u thellua kur figura të rëndësishme të kabinetit filluan të kërkonin privatisht largimin e tij. Dorëheqja e ministrit të Shëndetësisë, Ues Streeting, dhe spekulimet për ambiciet e kryebashkiakut të Mançesterit, Andy Burnham, treguan se një pjesë e madhe e partisë po kërkonte një lider të ri.

Burnham, i njohur për aftësinë e tij për të komunikuar me publikun dhe për profilin e tij të fortë politik, u pa nga shumë deputetë si njeriu që mund të shpëtonte Laburistët nga humbja në zgjedhjet e ardhshme. Fitorja e tij bindëse në zgjedhjet parlamentare e forcoi edhe më shumë këtë perceptim.

Pavarësisht fitores së madhe të vitit 2024, Keir Starmer nuk arriti të ndërtojë një identitet të qartë politik, të mbajë të bashkuar partinë e tij dhe të bindë qytetarët se kishte një plan të qartë për të ardhmen e Britanisë. Kombinimi i vendimeve ekonomike jopopullore, mungesës së vizionit politik, rebelimeve të brendshme dhe humbjeve elektorale e çoi drejt dorëheqjes. Rasti i tij mbetet një shembull sesi një fitore e madhe zgjedhore nuk garanton domosdoshmërisht suksesin në qeverisje./Al Jazeera/tvklan.al

Advertisement
Advertisement
Advertisement