Ali Aliu: E besueshmja – e pabesueshmja në romanin “Marrja e gjakut” të Andreas Dushit - Gazeta Express
string(81) "ali-aliu-e-besueshmja-e-pabesueshmja-ne-romanin-marrja-e-gjakut-te-andreas-dushit"

Ali Aliu: E besueshmja – e pabesueshmja në romanin “Marrja e gjakut” të Andreas Dushit

Arte

Gazeta Express

13/08/2022 15:57

Gjatë panairit të librit në Prishtinë, – Qershor 2022, në kallaballëkun mes stendave, një çun i ri, i gjatë dhe simpatik, duke më përshëndetur ngrohtësisht, më lëshoi në dorë një libër; ngrita kokën, po qeshte lirshëm; mu kujtua që e kisha pare në panairin e shkuar, – Tiranë 2021, gjatë prezantimit të një poete në stendën e botuesit Onufri; ishte autori i romanit “Marrja e Gjakut”, Andreas Dushi; lindur më 1999 në Shkodër; romani në fjalë botuar në vitin 2018, botuar nga Onufri 2018; gjesti, rrethanat, më tërhoqën vëmendjen dhe unë e lexova romanin “Marrja e gjakut”.

Fabula e romanit, nisur edhe nga titulli, është kanunor, por sjellë nga një perspektivë rrëfimi, e “padëgjuar” në letërsinë shqipe, – të paktën për mua: “Kur në shtëpinë e Vocit të vetëvrare, shfaqet Vilzani, vëllai i tij, një debat lind mes tij dhe djemve të të ndjerit. Sipas Vilzanit, Voci ishte edhe vrasës, edhe i vrarë, dhe prandaj familjarët e tij duhet të ndaheshin në familjarët e vrasësit dhe në ata të të vrarit. Të dytët kishin si detyrë marrjen e gjakut te të parët”.( Citat nga romani)

Lexo Edhe:

Voci, personazhi kryesor, pa u lënë asnjë shenjë dëshmie familjarëve të vet – gruas Leticia dhe katër, djemve, -Leka, Lulashi, Leci dhe Laloshi, për arsyet e vetëvarjes; si u vetëgjetën ata, katër djemtë, në raport me të atin, si të të përkëdhelurit e tij apo si plangprishës, nuk ishte vështirë; kështu, të parët, sipas këtij kanuni, do kërkojnë gjakun e të atit nga të dytët….

Ky është skeleti i fabulës që, besoj se e nxit kureshtjen por edhe kërkesën e lexuesit në përballje me të besueshmen dhe të pabesueshmen në art, shtruar që nga Aristoteli, i cili e nxjerr poezinë më të besueshme se historinë; tek romani “Marrja e gjakut”, faqen e pabesueshme autori i ri arrin ta shpëtojë, duke i vendosur në sfond vëllezërit biblike,- Abel, Kain…

Por ana më e rëndësishme e romanit ka të bëjë me poetikën narrative. Rrëfimin romanor me këtë rast e bartin dy shtylla: zëri i narratorit dhe zëri i rapsodit; secili në funksion drejt mbështetjes së njëri-tjetrit, ta bëjnë të besueshme fabulën e pabesueshme; zëri i parë, i narratorit, i vetëdijshëm për vështirësitë, orë e çast thërret në ndihmë edhe praninë e vëmendjes së lexuesit, i cili, pohon në heshtje, duke “tundur kokën”; në këtë poeticë narrative, autori inkuadron mori detajesh, prita, dykuptimësi, duke filluar që nga titulli i romanit, – marrja e gjakut, – marr gjak, marre,- po hanin së bashku marren me bukë (f.123) ;prani e largët e incestit, shprishje gjaku hapësirave greko-italiane, etj; ngarkesa të shumta këto që e rëndojnë kthjelltësinë e rrjedhës romanore; ngjashëm edhe me pleksjen dhe shpleksjen mes tyre, personazheve, mbase qëllimisht e mjegulluar.

Le të kthehem edhe njëherë tek e besueshmja dhe e pabesueshmja në art, që është vijë e kuqe, e kalon s’e kalon; thamë që nuk është vendimtar fakti se diç ka ndodhur apo jo në jetë, në histori, por nëse ndodh apo nuk ndodh ashtu në jetë; i besojmë apo jo rrëfimit të autorit në romanin “Marrja e gjakut”? Ndodh apo nuk ndodh në jetë ngjarja që sjell romani? Po të thoshim edhe mund të ndodhë, do ta kthenim bëmën në rastësi, në një përjashtim ligji, gjë të cilën e mirëkupton historia por jo poezia; ajo që e shpëton nga refuzimi besueshmërinë në këtë rast, është sfondi biblik që përmenda në fillim; tek romani “Marrja e gjakut”, nisma drejt shtegut kanunor, që në fillim, në ecje e sipër, natyrshëm, dhe me shkathtësi ia hap rrugën atij biblik.

Autori i ri Andreas Dushi është i talentuar; ritmi, ngjyrimi i rrëfimit të tij arrin ta mbajë vëmendjen e lexuesit; imagjinata e tij e bujshme, e tejdukshme krijon atmosferë në harmoni me përbërësit e tjerë të diskursit; gjuhë plot gjallëri kolorit, dhe, formim kulturor, letrar, që, së bashku e bëjnë fare periferik ndonjë manirë rinore për t’u dëgjuar me çdo kusht.

*Ali Aliu është studiues dhe kritik i letërsisë shqipe, veçanërisht asaj bashkohore. Autor i dhjetra librave me këtë temë e njëkohësisht, qindra artikujve të tillë, ndonëse tanimë në moshë të thyer, 88 vjeçare, për asnjë çast nuk i ka ndërprerë studimet e leximet. Mban të gjithë titujt e gradat shkencore. Ka ligjëruar në universitetet shqiptare të të gjitha qendrave kryesore albanofone të Ballkanit.

/Gazeta Express