Avokati i familjes së rreshterit të vrarë në sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, Afrim Bunjaku, Arianit Koci ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit, duke theksuar mungesën e pendimit dhe seriozitetin e veprës, raporton Ekonomia Online.
Avokati Arianit Koci tha se sulmi nuk ishte vetëm ndaj një zyrtari policor, por ndaj gjithë shtetit të Kosovës.
Koci theksoi se nuk ka pasur asnjë shprehje pendimi apo distancimi nga të akuzuarit për veprimet e tyre.
“Afrim Bunjaku po vazhdon me u vra, po vazhdon me u vra familja e tij, me faktin se ashkush nuk është penduar, as kush nuk është distancuar. Unë e kisha kuptu një situatë me thënë unë nuk kam marrë pjesë se ka të drejtë me deklarua ai apo kushdo çka të dojë po më vjen keq për vdekjen e policit, më vjen keq për vdekjen e familjes time. Por s’ka, nuk ka keqardhje. Nuk ka keqardhje as nuk ka ndonjë farë kritike e sulmit që është bërë, jo vetëm ndaj policit Afrim Bunjaku, po është bërë ndaj të gjithë neve. Qëllimi ka qenë shkëputja e një territori të Kosovës, e në atë pjesë të territorit të Kosovës jemi të gjithë ne. Më vjen keq, mos kujtoni që jam i pashpirt. Më vjen keq mua për secilin djalë të ri i cili dëmtohet dhe burgoset për asgjë. Por, jo, nuk më vjen hiç keq kur edhe ka kry krimet, edhe provohet me prova siç i prezantoi prokuroria, edhe në fund nuk shpreh keqardhje. Edhe krejt kjo situatë na bien në një situatë që ne me mendua a jemi ne, secili prej nesh, të sigurt në shtetin tonë? Kosova është shtet i pavarur, nuk ka me mujtë me u shkëputë asnjë pjesë e Kosovës edhe këtë duhet me e ditë të gjithë. Provat janë të qarta. Ju e keni parë që në Viber kemi një moment ku thotë ‘ja filloi’. Filloi lufta. Nuk qenka lojë kjo punë. Domethënë, të gjitha këto i kanë bërë me vetëdije”, tha ai.