Një lajm shumë i keq për Hugo Ekitike. Mbrëmë, në minutën e 30-të të ndeshjes së kthimit të çerekfinales së Champions League ndaj PSG (0-2), sulmuesi i Liverpoolit u dëmtua gjatë një aksioni dhe u rrëzua në tokë.
“Hugo është dëmtuar shumë rëndë, është një dëmtim mjaft serioz”, ka deklaruar trajneri Arne Slot në konferencën për shtyp pas ndeshjes së humbur dhe eliminimit të Liverpoolit nga Championsi.
“Duket shumë serioze. Duket se është dëmtuar rëndë, por është e vështirë të thuhet sa. Do të shohim. Nuk premton mirë, kjo është e qartë”, shtoi Slot.
Sipas informacioneve të mbledhura nga “RMC Sport”, francezi 23-vjeçar është dërguar menjëherë për një kontroll të parë në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes, dhe rezultatet e para lënë të kuptohet për lajme shumë të këqija, përcjell “Gazeta Express”.
Një ekzaminim më i detajuar mjekësor pritet gjatë ditës, por sipas mediave franceze, bëhet fjalë për këputje të tendinit të Akilit, një nga dëmtimet më të rënda në futboll.
Ish-lojtari i PSG-së nuk do të kthehet në fushë para fundit të sezonit dhe kështu pritet ta humbasë edhe Botërorin që zhvillohet pas dy muajsh.
Madje, lajmet e fundit thonë se ai mund të mungojë deri në 9 muaj.
Stafi mjekësor dhe ai teknik i Francës është në kontakt me Liverpoolin për ta ndjekur gjendjen e lojtarit dhe përditësimet e fundit. /Gazeta Express