Sekretari i përgjitshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, e ka komentuar takimin me klubet e pakënaqura të Ipko Superligës së Kosovës dhe kërkesën e tyre për shkarkimin e presidentit të Federatës, Agim Ademit, duke thënë se tani kanë mbetur vetëm tri klube të pakënaqura në grupin opozitar.
Në fund të muajit të kaluar, Gjykata e Apelit e vërtetoi dënimin prej nëntë muajsh burg efektiv, që gjykata e shkallës së parë, kishte shqiptuar ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, transmeton Gazeta Express.
Ky vendim i Gjykatës bëri që grupi opozitar i tij, që përbëhet edhe disa nga klubet e Ipko Superligës së Kosovës, ta kërkojë edhe më zëshëm shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit, për të cilën thonë se s’kishte mandat përtej janarit të këtij viti, përkundër që UEFA e FIFA ia njohin mandatin deri më 2022.
Gjatë javës, trajneri dhe donatori i Llapit, Tahir Batatina, bëri të ditur se ai dhe përfaqësuesit e klubeve të pakënaqura janë takuar me Salihun e ky i fundit tregoi se çfarë u diskutua në atë takim.
“Sigurisht se kanë kërkuar… ju e dini këto pesë klube kanë qenë e më vonë dy u tërhoqën. Nuk dua të hyj në këto çështje, jemi marrë vesh së bashku që të presim të përfundojë pandemia dhe pastaj çdo problem le të adresohet në Komitet Ekzekutiv dhe Kuvend”, ka thënë Salihu në emisionin sportiv “Favorit” në T7.
“Ai është në pritje të Gjykatës Supreme. Komiteti Ekzekutiv dhe kryetari janë të vetëdijshëm për situatën. Është çështje personale, unë nuk kam të drejtë vote për këtë, jam shef ekzekutiv, vetëm u bindem atyre vendimeve të marra nga Komiteti Ekzekutiv dhe kryetari. Të gjithë së bashku i bindemi Kuvendit”. /Gazeta Express/