Eurodeputetët i shkruajnë Thaçit: Siguroni një qeveri funksionale - Gazeta Express
string(64) "eurodeputetet-i-shkruajne-thacit-siguroni-nje-qeveri-funksionale"

Gazeta Express

03/04/2020 19:49

Eurodeputetët i shkruajnë Thaçit: Siguroni një qeveri funksionale

Gazeta Express

03/04/2020 19:49

Katër eurodeputetë nga Partia e të Gjelbërve i kanë dërguar një letër të hapur presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke i kërkuar atij që të respektojë Kushtetutën e vendit në lidhje me hapat e ardhshëm pas rrëzimit të qeverisë.

Në këtë letër, të nënshkruar nga 4 eurodeputetë, theksohen shqetësimet e kësaj partie për gjendjen politike nëpër të cilën po kalon Kosova.

Lexo Edhe:

Aty, veç tjerash, potencohen edhe zërat që po qarkullojnë të fundmi për të bërë ndryshime kushtetuese me 82 vota në Kuvend, janë “një arsye më shumë e shqetësimit tonë”.

Eurodeputetët Thomas Waitz, Reinhard Bütikofer, Viola von Cramon-Taubadel dhe Romeo Franz, i bëjnë thirrje presidentit Thaçi që të sigurojë “një qeveri funksionale në këtë kohë krize që reflekton rezultatet e zgjedhjeve të fundit”, përcjell Koha.

Në letër i jepet mbështetje qeverisë në detyrë Kurti për masat e ndërmarra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vend.

Më poshtë, lexojeni të plotë letrën e eurodeputetëve:

I dashur Presidenti Thaçi,

Jemi thellësisht të shqetësuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe dëshirojmë të adresojmë shqetësimet tona në këtë letër të hapur. Ne të Gjelbrit gjithmonë e kemi mbështetur rrugën e Kosovës drejt pavarësisë dhe demokratizimit dhe nuk mund të heshtim gjatë krizës aktuale. Vota e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti është një hap prapa për stabilitetin politik në Ballkanin Perëndimor në një kohë kur kohezioni është i nevojshëm urgjentisht. Pretendimet e fundit në lidhje me ndryshimet e mundshme kushtetuese përmes 82 deputetëve të Parlamentit janë një arsye më shumë e shqetësimit tonë.

Ne ju bëjmë thirrje që të siguroni një qeveri funksionale në këtë kohë krize që reflekton rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Në pandeminë aktuale mbarëbotërore, një vend pa qeveri funksionale dhe praktikisht në krizë kushtetuese do të rrezikonte shëndetin dhe mirëqenien e gjithë popullatës së tij. Qeveria kosovare deri më tani trajtoi krizën në mënyrë të efektshme dhe madje ia doli të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të shfuqizuar tarifat. Qeveria e Albin Kurtit barti shpresat e brezit të ri të Kosovës për përparimin politik dhe shkarkimi i kësaj qeverie qartë bie në kundërshtim me vullnetin demokratik të popullatës së Kosovës.

Për periudhën e pas pandemisë, qëndrimi ynë është që zgjedhjet e reja të mbahen sipas Kushtetutës së Kosovës, meqë fundi i qeverisë së Albin Kurtit është jo si rezultat i një dorëheqjeje, por si pasojë e votimit të mosbesimit. Ne besojmë se ju, si President, duhet të respektoni parimin e balancimit të pushtetit dhe të siguroheni që të respektohen maksimat demokratike dhe sundimi i ligjit.

Marrëveshja e mbështetur nga SHBA-ja për Serbinë dhe Kosovën, të edhe e favorizoni, është thellësisht shqetësuese. Çfarëdo marrëveshje që përfshin një zhvendosje të kufijve në baza etnike mund të rezultojë në destabilizim të rrezikshëm. Modifikimet e kufirit dhe shkëmbimet e tokës bazuar në kriteret etnike në të kaluarën kanë çuar në luftëra, në vuajtje të mëdha dhe zhvendosje të njerëzve në Ballkan. Kosova është një vend multi-etnik, dhe ne kundërshtojmë me forcë çdo përpjekje që tenton të kthehet në politikën e viteve të 1990-ta.

Ne të Gjelbrit vazhdojmë të avokojmë për demokraci dhe sundim të ligjit në Kosovë, dhe për përfshirjen e saj të vazhdueshme në masat mbështetëse të BE-së gjatë pandemisë globale. Kjo betejë ka të bëjë me stabilitetin, shëndetin publik dhe paqen në Kosovë, një betejë që nuk mund të fitohet pa e respektuar demokracinë.

Sinqerisht tuajit,

Thomas Waitz, anëtar i Parlamentit Evropian dhe bashkëkryetar i Partisë së Gjelbër Evropiane

Reinhard Bütikofer, Anëtar i Parlamentit Evropian

Viola von Cramon-Taubadel, Anëtare e Parlamentit Evropian

Romeo Franz, Anëtar i Parlamentit Evropian.