Kur bien maskat - Gazeta Express
string(15) "kur-bien-maskat"

Dritan Dragusha

30/03/2020 10:48

Kur bien maskat

Dritan Dragusha

30/03/2020 10:48

Ka kohë që është bërë gati se e pamundur që nëpër media të mund të lexosh, apo dëgjosh një opinion, mendim apo gjykim racional. Pothuajse për çdo problem ka ngarkesa emocionale, sa menjëherë krijohet një zhurmë deri në kakofoni. Edhepse gjendemi në krizën e pandemisë globale të shkaktuar nga COVID-19, e qe besa shumë shpejt do të përballemi edhe me krizën ekonomike, ne kemi vendosur ta injorojmë realitetin dhe t’i kthehemi njëri-tjetrit në rrafshin politik. Akumulimi përmbi 20 vjeçar i mllefit ndaj një klase politike skajshmërisht të korruptuar, skajshmërisht të papërgjegjshme, ka filluar t’i manifestojë filizat e një agresiviteti në publik. Mbase ditëve të fundit sikur është mbushur kupa e mllefit, për faktin se LDK-ja vendosi që ta lërë koalicionin e shpresës. Arsyet që kjo parti i shtroi, tanimë janë të njohura për publikun, dhe me një kërkesë të saj për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, ku bënte pjesë dhe vetë, në Kuvendin e Kosovës, me 82 vota kaloi kjo kërkesë, pra ra ‘Qeveria Kurti’.

Shkruan: Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Në fakt, çka e ka karakterizuar këtë koalicion, të ashtuquajtur koalicioni i shpresës, dhe thënë të drejtën te një masë e gjerë edhe ashtu u perceptua, ishte mosbesimi. Këto dy parti, LDK-ja dhe LVV-ja, kishin ndërtuar ndaj njëra-tjetrës një mosbesim shumë të gjatë, që zë fill në periudhën e çlirimit të vendit. Isha i bindur se nuk do të funksionojë ky koalicion, sepse ishin bashkuar dy grupime politike që pothuajse për gjithçka që kishte ndodhur në Kosovë, nga paslufta e tutje (për të mos thënë edhe më herët), akuzonin njëra-tjetrën, vazhdimisht. Disa nga mospajtueshmëritë e tyre:

– LDK-ja dhe LVV-ja përfaqësojnë ideologji të ndryshme, LDK-ja e deklaruar si e qendrës së djathtë, kurse LVV-ja e deklaruar si e qendrës së majtë. Mirëpo, kursi ideologjik i tyre shpesh ka qenë i paqartë në momente të caktuara politike.

– Po ashtu, këto dy parti, përveç që ndajnë botëkuptime të ndryshme për probleme edhe praktike, kanë qëndrime të kundërta (shpesh ekstremisht të kundërta) në raport me ecjen politike të Kosovës për gati 30 vjet.

– Si rrugëtim i këtyre diferencave kategorike politike, këto dy parti ndër vite kanë ushqyer një armiqësi ndaj njëra-tjetrës. LDK-ja i kundërvihej LVV-së si antiliberale, antiamerikane, leniniste e bolshevike dhe veprimtarinë e saj politike e cilësonte si të kundërt me interesin e Kosovës.

– LVV-ja konsideronte se LDK-ja është partia që është pjesëmarrëse direkte në përçarjen e luftës, se pacifizmi i Rugovës i ka bërë dëm karakterit kundërshtues shoqëror.

– LDK-ja është përgjegjëse për nënshkrimin e “Marrëveshjës së Rambujes”, “Pakos së Ahtisarit”, e që LVV-ja i konsideronte si të dëmshme për vendin. Prandaj, pothuajse, secila figurë e rëndësishme e LDK-së është kritikuar deri në tradhti për këtë.

– Ashpërsimi i kritikave arrihet kur LDK-ja doli nga koalicioni opozitar (VLAN) për t’u futur në koalicion qeverisës me PDK-në. Që nga ajo kohë e deri më sot, LDK-ja portretohet edhe si vasale e Hashim Thaçit.

Këto janë vetëm disa nga akuzat, që këto dy parti i trumbetojnë në vazhdimësi ndaj njëra-tjetrës. Po ashtu, edhe gjatë kohës së negociatave për një marrëveshje për koalicion qeverisës, ka pasur akuza të ndërsjella, madje shumë të ashpra. Edhe përkundër gjithë këtyre animozitetesh, edhe historike, ndaj njëra-tjetrës, këto dy parti e bënë koalicionin dhe në fund qeverinë. Mirëpo, nëse i shohim këto dhe shumë mospajtime të tjera që nuk u përmendën këtu, del se për më tepër se koalicioni, gabim ishte paraqitja e tij si koalicioni i vetëm i shpresës (sic!). Pra, duke ia njohur njëra-tjetrës këto kundërthënie kaq të thella, LDK dhe LVV nuk hezituan që te qytetarët të paraqiten me maska, sikur të ishin shpresa e vetme për shtetin e Kosovës. Slloganet “Beso” dhe “Erdhi dita”, në fakt, në vend të shpresës do të prodhojnë zhgënjim më të madh, ndoshta që pas shpalljes së pavarësisë.

Ndoshta nga kjo martesë e shkurtër qeverisëse, këto parti kishin parë mundësinë që ta përdornin njëra-tjetrën për ta dobësuar Thaçin dhe PDK-në, mirëpo, secila për hesap të vetin, sepse LDK-ja nuk mund t’ia falte poshtërimin që PDK-ja dhe Thaçi ia kishin bërë me rrëzimin e “Qeverisë Mustafa”. Kurse LVV-ja, konkretisht Kryeministri Kurti, që hasmërinë me Thaçin e ka që nga nënshkrimi i “Marrëveshjes së Rambujesë” dhe për trajtimin që ia ka bërë LVV-së gjatë gjithë kohës, ndoshta e kishte parësi shans ideal që ta bënte të paaftë politikisht atë. Prandaj, duhet thënë troç, se edhe LDK-ja edhe LVV-ja që nga fillimi janë treguar hipokrite në raport me njëra-tjetrën dhe pastaj të dyjat bashkë hipokrite në raport me votuesit e tyre dhe qytetarët në përgjithësi. Ndërsa, virusi COVID-19 veç sa ua nxori më mirë qelbin në sipërfaqe.

Tani ka kohë që këto dy parti janë nisur për t’i gjetur sokaqet për të argumentuar në publik se cila nga to e kishte fajin për prishje të koalicionit, madje akuzave të vjetra duke ia attach-uar edhe akuzat e reja. Përveç tek eksponentët partiakë, akuzat kanë zbritur edhe në elektorat, te militantët. Normalisht, këtij karvani iu bashkuan edhe militantët e partive opozitare. Tani pyetja shtrohet kah duhet t’ia mbajmë? Edhe pse kemi një Kushtetutë e cila parasheh se si duhen zgjidhur këto situata, dhe një Gjykatë Kushtetuese që ka të drejtën legjitime për interpretimin e saj, prapëseprapë krerët politikë marrin të drejtën ta luajnë rolin e gjykatës. Duhet të përfillet rregulli se nëse ka paqartësi, apo tendencë, që të bëhen zgjidhje jashtë kushtetuese, atëherë pala që konsideron se po dëmtohet, duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese që ta sqarojë situatën. Po i vë theks kësaj, sepse thirrjet për revoltë dhe rebelim që i kishte bërë gazetari nga Shqipëria, Andi Bushati dhe thirrjet që po bëhen nëpër rrjetet sociale dhe forume të ndryshme, nuk duhet të na nxjerrin nga rruga institucionale. Mbase, Bushati bënë thirrje për revoltë dhe rebelim, duke vlerësuar me kutin e mosbesimit institucional që mbretëron në Shqipëri, mirëpo, në Kosovë, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovë në mënyrë kontinuele ka treguar kredibilitet. Si rezultat i interpretimeve të kësaj gjykate janë rrëzuar nga pozita dy presidentë. Maturimi politik tregohet, jo duke i përfillur kokat e nxehta, të cilat shpikin zgjidhje të shpejta e jashtinstitucionale, por duhet me qetësi të zgjidhen rrugë të duhura dhe gjithsesi institucionale.

Duhet ta themi hapur dhe qartë, dalja e LDK-së nga qeveria është shkelje e marrëveshjes mes saj  dhe LVV-së, e kjo e thellon hendekun e mosbesimit ndaj njëra-tjetrës, kurse rrëzimi i Qeverisë, në Kuvendin e Kosovës është ligjor dhe nuk duhet të shihet ndryshe. Moralisht mund të diskutohet, por kjo s’prodhon efekte juridike. Ndërsa, praktikisht do të shihet në zgjedhjet e ardhshme (kurdo që mbahen) se kush do të dënohet me votë për këtë veprim. Tashmë, pas seancës me maska, kanë rënë maskat e këtyre dy partive, të cilat në zgjedhje do të shkojnë me fytyrat që i njohim.

Sa i përketë asaj se e gjithë kjo zallamahi politike që ndodhi në këtë kohë pandemie globale, me pretekstin se në background qëndron një marrëveshje e dëmshme për Kosovën, me Serbinë, mendoj se secili duhet të bindet vetëm kur një marrëveshje e tillë paraqitet në Kuvendin e Kosovës, në institucionin më të lartë shtetëror. Deri atëherë, mbani distancën sociale fizike, por edhe atë emocionale.