Cristian Romero është gjithnjë e më pranë transferimit te Interi. Klubi italian ka arritur një marrëveshje me Tottenham Hotspur për kalimin e mbrojtësit argjentinas, në një operacion me vlerë rreth 40 milionë euro.
Sipas gazetës spanjolle “Mundo Deportivo”, tani negociatat janë përqendruar te marrëveshja personale me përfaqësuesit e futbollistit, i cili ishte pjesë e Argjentinës në Kupën e Botës 2026.
Largimi i Romeros nga Tottenhami ishte përfolur prej kohësh, ndërsa bisedimet me Interin janë intensifikuar sërish, me të dyja palët që synojnë ta finalizojnë transferimin gjatë kësaj vere.
Trajneri Cristian Chivu dhe drejtuesit e klubit zikaltër kërkojnë të përforcojnë repartin defensiv me një qendërmbrojtës të nivelit të lartë. Së fundmi, Interi transferoi edhe John Stones si lojtar të lirë, pas përfundimit të aventurës së tij dhjetëvjeçare te Manchester City.
Megjithatë, mbetet ende një pengesë për t’u kapërcyer: marrëveshja me vetë futbollistin.
Përmes agjentëve të tij, Romero kërkon një pagë neto prej 6 milionë eurosh në sezon.
Drejtuesit e Interit e konsiderojnë këtë kërkesë shumë të lartë dhe do të përpiqen ta ulin për të arritur një marrëveshje.
Në sfond mbetet edhe Atletico Madridi, i cili vazhdon ta monitorojë situatën, por Interi tashmë ka siguruar marrëveshjen me Tottenhamin për transferimin e mbrojtësit.
Javët e fundit emri i Romeros është lidhur edhe me Barcelonën. Argjentinasi është në listën e mbrojtësve që pëlqehen nga drejtuesit sportivë të klubit katalanas, por deri tani nuk ka pasur kontakte apo negociata konkrete.
Romero ka kaluar pesë sezone te Tottenhami, ku u transferua nga Atalanta në vitin 2021. Nëse marrëveshja me Interin përfundon me sukses, ai do të rikthehet në futbollin italian, aty ku ndërtoi reputacionin si një nga mbrojtësit më të mirë të Serie A./GazetaExpress/