Pas publikimit të dëshmive nga Instituti për Krimet e Luftës në Kosovë, e dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, ka thënë se këto gjetje janë një kontribut i rëndësishëm në krijimin e një baze faktike për drejtësi dhe llogaridhënie për viktimat e luftës në Kosovë.
Një deklaratën e saj të publikuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, Pierce theksoi se dëshmitë e reja ndihmojnë në dokumentimin e fatit të më shumë se 13 mijë personave që humbën jetën ose u zhdukën gjatë konfliktit në Kosovë, si dhe të mijëra të tjerëve që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre dhe pësuan humbje, lëndime apo trauma.
“Gjetjet janë një kontribut i rëndësishëm drejt krijimit të dëshmive të bazuara në fakte dhe llogaridhënies për më shumë se 13 mijë njerëz që humbën jetën ose u zhdukën gjatë konfliktit në Kosovë, si dhe për shumë të tjerë që u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe pësuan humbje, lëndime apo trauma”, ka deklaruar ajo.
Dame Karen Pierce i ka cilësuar ngjarjet tragjike në Kosovë si një nga periudhat më të errëta të historisë së afërt të Evropës, duke theksuar rëndësinë e përballjes së sinqertë me të kaluarën.
“Paqja afatgjatë kërkon që të gjitha komunitetet të angazhohen me ndershmëri ndaj së kaluarës dhe të punojnë drejt së vërtetës, pajtimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”, ka thënë ajo.
Ajo shtoi se, edhe dekada pas përfundimit të vuajtjeve të mëdha njerëzore, Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar në mbështetjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.