Jeni lodhur nga ditët kur flokët fryhen, duken pa volum, thinjen apo thjesht refuzojnë të marrin formën që dëshironi?
Sipas një studiu, zgjidhja mund të mos jetë përdorimi i më shumë produkteve apo përpjekja për t’i ndryshuar vazhdimisht flokët. Çelësi është të kuptoni dhe të pranoni karakteristikat e tyre natyrore.
Elly Anastasiades, studiuese doktorature në Universitetin Anglia Ruskin, thotë se një marrëdhënie më e shëndetshme me flokët krijohet kur punojmë me natyrën e tyre dhe jo kundër saj.
“Kjo mund të nënkuptojë të këshilloheni me një parukier, të kërkoni frymëzim, të provoni produkte të ndryshme ose thjesht të mësoni më shumë për flokët tuaj”, shkroi ajo në një artikull për “The Conversation”.
“Qëllimi nuk është të keni flokë të përsosur, por të gjeni mënyrën më të mirë për t’u kujdesur për flokët që keni.”
Pranimi i flokëve natyralë
Shumë njerëz po ndajnë në rrjetet sociale përvojat e tyre pasi kanë vendosur të mos i luftojnë më tiparet natyrore të flokëve.



Një përdoruese, Sarah, publikoi një video ku tregonte flokët e saj të thinjura, duke shkruar: “Kjo është shenja juaj për të mos i lyer më flokët në vitin 2026”.
Një tjetër përdoruese tregoi kaçurrelat e saj natyrale dhe i nxiti ndjekësit t’i pranonin flokët ashtu siç janë.
Ky trend nuk lidhet vetëm me estetikën. Për shumë njerëz, ndalimi i lyerjes, drejtimit të vazhdueshëm apo fshehjes së rënies së flokëve mund të sjellë më shumë vetëbesim dhe më pak ankth për pamjen.
Lidhja ndërmjet flokëve dhe identitetit
Në studimin e saj, Anastasiades u përpoq të kuptonte marrëdhënien që njerëzit krijojnë me flokët.
“Flokët janë lidhur prej kohësh me identitetin, vetëbesimin, perceptimin për trupin dhe cilësinë e jetës”, shpjegoi ajo.
Studimet e mëparshme kanë treguar se rënia e flokëve mund të ndikojë në mirëqenien psikologjike të burrave dhe grave. Ndryshimet në ngjyrë, strukturë apo modelin e flokëve mund të ndikojnë gjithashtu në mënyrën se si njerëzit e shohin veten dhe mendojnë se perceptohen nga të tjerët.
Megjithatë, sipas studiueses, psikologjia i ka kushtuar relativisht pak vëmendje një pyetjeje të thjeshtë: çfarë do të thotë të kesh një marrëdhënie pozitive me flokët e tu?
Çfarë treguan intervistat?
Studiuesja intervistoi 21 burra dhe gra rreth përvojave të tyre. Pavarësisht numrit të kufizuar të pjesëmarrësve, në rrëfimet e tyre u shfaq një element i përbashkët: njerëzit që kishin marrëdhënie pozitive me flokët kishin investuar kohë për t’i kuptuar ato.
“Në vend që të shpenzonin energji duke u përpjekur t’i detyronin flokët të bëheshin diçka që nuk ishin, ata punonin me karakteristikat e tyre natyrore”, tha Anastasiades.
“Ata kujdeseshin dhe i respektonin flokët. Më e rëndësishmja, nuk lejonin që një ditë me flokë të çrregullt të shndërrohej në gjykim negativ ndaj vetes.”
Si t’i njihni më mirë flokët tuaj?
Hapi i parë është të kuptoni se çdo lloj floku ka strukturën, dendësinë, mënyrën e rritjes dhe veçoritë e veta.
Në vend që të pyesni pse flokët tuaj nuk duken si të dikujt tjetër, studiuesja këshillon të vëzhgoni se çfarë funksionon konkretisht për ju.
Mund t’i bëni vetes disa pyetje:
Anastasiades sugjeron gjithashtu eksperimentimin me modele, gjatësi dhe mënyra të ndryshme stilimi. Kjo nuk do të thotë të ndiqni çdo trend, por të zbuloni çfarë ju përshtatet dhe ju bën të ndiheni mirë.
“Si në çdo marrëdhënie, edhe ajo me flokët do të ketë ditë të mira dhe të këqija”, përfundoi ajo.
“Por studimi im sugjeron se, kur ndalojmë së përpjekuri për t’i kontrolluar flokët dhe fillojmë t’i kuptojmë, mund të fitojmë diçka më të vlefshme sesa ‘flokët e përsosur’: një marrëdhënie më të shëndetshme me veten.”
Edhe burrat po përqafojnë pamjen natyrale
Pranimi i flokëve natyralë – ose i mungesës së tyre – nuk është një prirje vetëm mes grave.
Në Londër u organizua së fundmi një aktivitet për burrat tullacë, i quajtur “Bald Fest”. Një pjesëmarrës, i cili kishte vendosur ta rruante kokën pas një periudhe të gjatë pasigurie, e përshkroi zgjedhjen si vendimin më të mirë që kishte marrë.
“E kisha menduar prej kohësh. Po kapesha pas flokëve për shumë më gjatë nga sa duhej, sepse kisha frikë. Por ishte vendimi më i mirë. Tani kam shumë më tepër vetëbesim”, tha ai.
Përfundimi i studiueses është i thjeshtë: nuk ekziston një zgjidhje e vetme për flokët kaçurrela, të drejta, të holla, të thinjura apo në rënie. Zgjidhja fillon duke i njohur, duke u kujdesur për to në mënyrën e duhur dhe duke mos e lidhur vlerën personale me pamjen e tyre. /GazetaExpress/
Zbuloni si ndërtohet cilësia përmes mbi 1.000 kontrolleve, testimeve të pavarura dhe respektimit të standardeve strikte të Bashkimit Evropian.*...