Nëse qeni juaj ju ka vënë ndonjëherë në siklet duke iu ngjitur një qeni tjetër, këmbës së një vizitori apo lodrës së preferuar, mos supozoni menjëherë se sjellja lidhet me çiftëzimin.
Sipas ekspertëve, hipja ose lëvizjet ritmike të legenit janë sjellje shumë më komplekse nga sa mendojnë shumica e pronarëve.
Marc Bekoff, profesor emeritus i Ekologjisë dhe Biologjisë Evolutive në Universitetin e Kolorados, thotë se bëhet fjalë për një sjellje të natyrshme, e cila mund të ketë disa shkaqe.
Megjithëse çiftëzimi është arsyeja më e dukshme, ai nuk është shpjegimi i vetëm. Disa qen e bëjnë këtë gjatë lojës, të tjerë kur emocionohen tepër, ndërsa tek disa mund të jetë reagim ndaj stresit, mërzisë ose mbingarkesës emocionale.
“Hipja është një sjellje e natyrshme e qenve dhe nuk është as e neveritshme, as jonormale”, shkroi profesor Bekoff për “Psychology Today”.
Megjithatë, ai pranon se te disa qen sjellja mund të bëhet e tepruar, duke kërkuar trajnim ose kontroll veterinar.
1. Mbingarkesa emocionale
Hipja mund të jetë një “sjellje zhvendosëse”, pra një veprim që shkaktohet nga mbingarkesa emocionale dhe jo nga një synim i vetëdijshëm.
Për shembull, ardhja e një vizitori të ri mund ta bëjë qenin njëkohësisht të emocionuar dhe në ankth. Në pamundësi për t’i menaxhuar këto emocione të kundërta, ai mund të fillojë t’i hipë personit, një kafshe tjetër ose një objekti.
Në këtë rast, sjellja shërben si mënyrë për ta çliruar tensionin dhe jo si veprim seksual.
2. Loja dhe eksitimi i tepërt
Disa qen fillojnë të kryejnë këto lëvizje gjatë lojës, sidomos kur niveli i eksitimit rritet shumë.
Studiuesit i kanë vërejtur qentë duke u hipur kafshëve të tjera edhe gjatë shpërthimeve energjike të njohura si “zoomies”. Pas disa çastesh ata largohen me vrap, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Kjo tregon se sjellja mund të jetë thjesht pjesë e një momenti intensiv loje dhe energjie.
3. Përpjekja për kontroll
Në disa raste, hipja interpretohet si përpjekje për të kontrolluar ndërveprimin me një kafshë tjetër.
Megjithatë, rezultatet e projektit të profesor Bekoff tregojnë se dominimi nuk është shpjegimi kryesor. Vetëm 9 për qind e rasteve të analizuara u interpretuan më bindshëm në këtë mënyrë.
Prandaj, nuk duhet supozuar automatikisht se çdo qen që shfaq këtë sjellje po përpiqet të tregojë epërsi.
4. Mërzia dhe krijimi i një zakoni
Mungesa e aktivitetit fizik, stimulimit mendor dhe ndërveprimit mund të ndikojë gjithashtu.
Disa qen e zhvillojnë këtë zakon gjatë periudhave të qeta, ashtu si njerëzit mund ta hapin telefonin ose televizorin pa ndonjë arsye të veçantë.
Nëse sjellja përsëritet shpesh, ajo mund të kthehet në zakon dhe të vazhdojë edhe kur shkaku fillestar nuk është më i pranishëm.
5. Pozicioni trupor dhe reagimi refleksiv
Në raste të tjera, sjellja mund të nisë pothuajse rastësisht. Qeni gjendet në një pozicion të caktuar gjatë lojës ose kontaktit me një objekt dhe një reagim refleksiv merr kontrollin.
Kjo mund të shpjegojë përse qentë ndonjëherë u hipin objekteve të pazakonta, si tasat e ujit, jastëkët apo topat.
Nuk ka dallim të madh mes meshkujve dhe femrave
Në kuadër të një projekti afatgjatë të shkencës qytetare, profesor Bekoff u kërkoi njerëzve të regjistronin rastet e hipjes së qenve në parqet e zonave të tyre.
Analiza e 312 rasteve nuk zbuloi ndonjë dallim të dukshëm ndërmjet meshkujve dhe femrave, qoftë si nismëtarë, qoftë si marrës të sjelljes.
As madhësia e qenit nuk dukej se kishte rëndësi.

“Në gjashtë raste, një qen i vogël u përpoq t’i hipte një qeni shumë më të madh, por rrëshqiti sepse nuk mund të mbahej”, tregoi Bekoff.
Në 65 për qind të episodeve nuk u identifikua një shkak i qartë. Rreth 26 për qind ndodhën gjatë lojës dhe vetëm 9 për qind u lidhën me sjellje kontrolluese ose dominuese.
Kur sjellja bëhet problem?
Profesor Bekoff përmendi rastin e një qeni mashkull të quajtur Reggie, i cili, sipas pronarit, i hipte “çdo gjëje, çdo personi dhe në çdo kohë”.
Mes objektivave të tij ishin tasi i ujit, një top plazhi, qen të tjerë dhe këmbët e njerëzve.
“Disa raste mund të konsiderohen të papërshtatshme ose të tepruara dhe duhet të menaxhohen. Megjithatë, duhet të kemi kujdes se nga këndvështrimi i kujt po e gjykojmë sjelljen”, shpjegoi profesori.
Sipas tij, ajo është normale për qentë. Por kur përsëritet vazhdimisht, bëhet kompulsive, shkakton konflikt me kafshë të tjera ose shoqërohet me kruajtje, dhimbje dhe shqetësime urinare, mund të tregojë një problem.
Në këto raste rekomandohet konsultimi me veterinerin dhe, nëse është e nevojshme, me një specialist të sjelljes së kafshëve.
Ndëshkimi i qenit mund ta rrisë stresin. Zgjidhja më e mirë është ndërprerja e qetë e sjelljes, largimi nga situata që e nxit dhe orientimi drejt një aktiviteti tjetër.
Disa qen krijojnë lidhje të tepruar me lodrat
Një studim tjetër i publikuar së fundmi zbuloi se disa qen mund të zhvillojnë një lidhje jo të shëndetshme me lodrat e preferuara.
Shkencëtarët analizuan të dhënat e më shumë se 1.600 qenve dhe konstatuan se ata me motivimin më të lartë ndaj lodrave kishin më shumë vështirësi për t’u qetësuar. Ata qëndronin të eksituar për periudha më të gjata dhe flinin më pak gjatë ditës.
Kjo prirje u vërejt më shpesh te racat e punës dhe ato sportive, përfshirë pastorët gjermanë dhe terrierët. Sjellja shfaqej shpesh që në muajt e parë të jetës.
Dëshira e fortë për të luajtur mund të jetë një cilësi pozitive, veçanërisht te qentë e punës. Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se nivelet ekstreme mund ta pengojnë kafshën të kontrollojë sjelljen dhe të ndikojnë negativisht në mirëqenien e saj.
“Është e qartë se hipja nuk lidhet vetëm me kërkimin e një partneri në vendin e gabuar. Të kuptuarit e arsyeve të kësaj sjelljeje mund ta përmirësojë marrëdhënien ndërmjet qenve dhe njerëzve”, përfundoi profesor Bekoff. /GazetaExpress/
Zbuloni si ndërtohet cilësia përmes mbi 1.000 kontrolleve, testimeve të pavarura dhe respektimit të standardeve strikte të Bashkimit Evropian.*...