Kurti: Fondi i sigurimeve shoqërore – mbështetje për punëtorët dhe familjet - Gazeta Express
string(72) "kurti-fondi-i-sigurimeve-shoqerore-mbeshtetje-per-punetoret-dhe-familjet"

Zgjedhjet

Gazeta Express

29/05/2026 13:58

Kurti: Fondi i sigurimeve shoqërore – mbështetje për punëtorët dhe familjet

Zgjedhjet

Gazeta Express

29/05/2026 13:58

“Secili punëtor që pas më shumë se 12 muaj angazhim në një ndërmarrje e humb vendin e punës pa fajin e tij, do të mbështetet për një periudhë të caktuar nga ana e Fondit të Sigurimeve Shoqërore.”

Jo rastësisht slogani i Lëvizjes VETËVENDOSJE! me numrin 116 në këto zgjedhje është: “Krejt për shtet – shtet për krejt”. Kryeministri Albin Kurti ka publikuar zotimet për thellimin e shtetit social, ku punëtori nuk mbetet i pambrojtur përballë humbjes së vendit të punës, pasigurisë ekonomike apo nevojave familjare.

Në ekonomitë bashkëkohore evropiane, zhvillimi ekonomik nuk matet vetëm me rritjen e prodhimit dhe investimeve, por edhe me nivelin e sigurisë që shteti u garanton qytetarëve të tij. Pikërisht për këtë arsye, pothuajse të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian kanë sisteme të sigurimeve shoqërore dhe mbështetjes për papunësinë, të cilat konsiderohen pjesë themelore e stabilitetit ekonomik dhe social.

Qeveria Kurti në mandatin e ri do të themelojë Fondin e Sigurimeve Shoqërore, si institucion publik që do të ofrojë mbështetje financiare për punëtorët që pa fajin e tyre e humbin vendin e punës.

Ky fond synon të krijojë një mekanizëm të qëndrueshëm të sigurisë sociale, të ngjashëm me modelet që funksionojnë prej dekadash në shtetet evropiane. Në Gjermani, Austri, Francë, Itali apo shtetet nordike, sigurimet shoqërore dhe përfitimet për papunësinë shërbejnë si stabilizator ekonomik në kohë krizash dhe tranzicionesh në tregun e punës. Këto sisteme jo vetëm që mbrojnë familjet nga rënia e menjëhershme në varfëri, por edhe ruajnë fuqinë blerëse dhe stabilitetin ekonomik të vet shtetit.

Sipas modelit të propozuar nga VETËVENDOSJE!, secili punëtor që pas më shumë se 12 muaj angazhim në një ndërmarrje e humb vendin e punës pa fajin e tij, do të mbështetet për një periudhë të caktuar nga ana e fondit. Kjo mbështetje synon të ndihmojë qytetarët të kalojnë periudhën e tranzicionit pa rrezikuar stabilitetin ekonomik të familjes së tyre.

Në mungesë të një sistemi funksional të sigurimeve shoqërore, humbja e vendit të punës shpesh nënkupton rrezik të menjëhershëm për standardin jetësor të familjes.

Një treg pune i ditëve të sotme nuk mund të funksionojë mbi frikën dhe pasigurinë e vazhdueshme të punëtorëve.

Siguria sociale nuk është pengesë për zhvillimin ekonomik, përkundrazi, ajo krijon stabilitet më të madh në tregun e punës, rrit besimin në ekonomi dhe ndihmon në krijimin e marrëdhënieve më të qëndrueshme ndërmjet punëtorit dhe ndërmarrjes.

Shtetet me produktivitetin më të lartë në Evropë janë njëkohësisht shtetet me mbrojtjen më të fortë sociale për punëtorët. Kjo sepse ekonomia nuk ndërtohet mbi pasiguri dhe paga të ulëta, por mbi stabilitet social, konsum të qëndrueshëm dhe punë të dinjitetshme.

Fondi i Sigurimeve Shoqërore do të mbulojë gjithashtu pagesën e pushimit të lehonisë dhe pushimit prindëror, qoftë për nënën apo për babain, varësisht nga preferencat brenda familjes. Përmes kësaj politike synohet jo vetëm mbështetja e familjeve të reja, por edhe krijimi i një balance të drejtë ndërmjet jetës familjare dhe angazhimit profesional.

Në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, pushimi prindëror dhe sigurimet sociale konsiderohen investim strategjik në familje, barazi sociale dhe zhvillim afatgjatë demografik. Qeveria Kurti synon që edhe Kosova të ndërtojë gradualisht standarde të ngjashme sociale dhe të punës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Kryeministri Kurti besojnë se shteti nuk duhet të jetë vetëm garantues i tregut, por edhe garantues i sigurisë sociale dhe dinjitetit të punës. Një ekonomi e zhvilluar nuk ndërtohet mbi pasiguri dhe frikë sociale, por mbi stabilitet, mbrojtje të punëtorëve dhe besim në të ardhmen. Një shtet i të gjithëve aq sa matet me rritjen ekonomike, matet dhe me aftësinë për të mos lënë askënd pas në kohë vështirësie.

Advertisement
Advertisement
Advertisement