Nga të gjitha mitet ekonomike që janë përsëritur në Ballkan gjatë dekadave të fundit, ndoshta më i dëmshmi ka qenë ky: se paga e punëtorit është pengesë për zhvillimin. Se sa më pak të paguhet puna, aq më “konkurruese” bëhet ekonomia. Ky model ka dështuar. E, shtetet që e kanë këtë model kanë dështuar në krijimin e mirëqenie, në ndaljen e emigrimit, në krijimin e një tregu të fortë vendor. Dhe mbi të gjitha, kanë dështuar sepse e kanë trajtuar punëtorin si shpenzim, e jo si themelin e ekonomisë. Në Kosovë i përket gjithnjë e më shumë të kaluarës.
Prandaj zotimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me numrin 116 dhe me Kryeministrin Albin Kurti në krye të listës, për të filluar dialogun me sektorin privat për zbatimin e pagës së 13-të dhe më pas krijimin gradual të kushteve edhe për pagën e 14-të, nuk është vetëm një premtim elektoral. Është propozim për ndryshim të modelit ekonomik të Kosovës. Sepse ekonomitë moderne nuk zhvillohen duke e dobësuar fuqinë blerëse të shumicës. Ato zhvillohen duke e forcuar atë.
Në Kosovë, konsumi familjar përbën mbi tri të katërtat e ekonomisë sonë. Kjo do të thotë se çdo rritje e të ardhurave për familjet punëtore nuk mbetet e ngrirë në llogari bankare apo parajsa fiskale. Ajo rikthehet menjëherë në qarkullim ekonomik, në dyqane, në prodhim vendor, në shërbime, në arsim, në shëndetësi dhe në jetën e përditshme.
Punëtori nuk e mban ekonominë gjallë vetëm me punën e tij. Ai e mban gjallë edhe me konsumin e tij. Kjo është arsyeja pse paga e 13-të nuk duhet parë as si luks as si barrë. Ajo duhet parë si mekanizëm stabiliteti ekonomik dhe social. Një familje që ka siguri financiare konsumon më shumë, planifikon më shumë dhe jeton me më pak ankth. Një prind që e di se mund t’i përballojë shpenzimet sezonale, pushimet apo librat e fëmijëve, bëhet pjesë e një ekonomie më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme.
Në fakt, bizneset serioze kanë interes të drejtpërdrejtë nga rritja e pagave. Një punëtor më i paguar është më produktiv, më i motivuar dhe më besnik ndaj vendit të punës. Një treg me më shumë fuqi blerëse krijon më shumë konsumatorë dhe më shumë qarkullim ekonomik. Ekonomia nuk dobësohet kur rriten pagat. Ekonomia dobësohet kur shumica nuk ka mundësi të konsumojë.
Për vite të tëra, qytetarëve u është kërkuar të sakrifikojnë në emër të “tregut”. Por tregu nuk është abstraksion. Tregu janë njerëzit. Dhe kur njerëzit nuk kanë siguri, as ekonomia nuk ka stabilitet.
Kjo është arsyeja pse debati për pagën e 13-të është në thelb debat për drejtimin që duhet të marrë shteti ynë. A duam të kthehemi tek ekonomia e pagave të ulëta, konsumit të dobët dhe emigrimit të vazhdueshëm? Apo duam të vazhdojmë punën duke ndërtuar një republikë ku puna shpërblehet, ku mirëqenia qarkullon dhe ku zhvillimi matet me jetën e shumicës?
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka zgjedhur qartë anën e saj. Anën e punës. Anën e familjes. Anën e ekonomisë që prodhon mirëqenie, jo vetëm fitim për pakicën. Sepse paga nuk është vetëm kosto në një excel financiar. Paga është dinjitet. Është siguri. Është stabilitet social. Dhe në fund, është vetë motori i zhvillimit kombëtar.
Me numrin 116, qytetarët nuk votojnë vetëm për një qeveri tjetër. Ata votojnë për një ide tjetër të ekonomisë: një Kosovë ku zhvillimi nuk matet vetëm me rritjen e statistikave, por me rritjen e jetës së njerëzve.
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...