Sefer Selimi ka reaguar ashpër lidhur me protestën e studentëve dhe debatet rreth provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke akuzuar për përpjekje të qëllimshme për sabotimin e saj dhe përçarjen e organizatorëve.
Në deklaratën e tij, Selimi thekson se po tentohet të zbehet kërkesa e studentëve dhe të njollosen ata që qëndrojnë pas organizimit të protestës.
“Po bëjnë çdo përpjekje për ta sabotuar protestën: për t’i përçarë e demotivuar studentët, për t’i njollosur organizatorët dhe për ta zbehur kërkesën e tyre të drejtë. Por studentët ju njohin. Ju njohim edhe ne,” thuhet në reagimin e tij.
Ai shton se çështja tashmë nuk kufizohet vetëm te provimi i jurisprudencës, por përfaqëson, sipas tij, zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe respektimin e Kushtetutës.
“Kjo çështje nuk është më vetëm një provim profesional i jurisprudencës. Është zbatimi i plotë i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Është respektim i Kushtetutës. Është barazi,” thekson Selimi.
Në fund të reagimit, ai kërkon zbatim të plotë të kornizës ligjore dhe kushtetuese në fuqi, duke e cilësuar këtë si detyrim institucional dhe jo çështje vullneti politik apo administrativ.
“Një e drejtë kushtetuese dhe ligjore nuk guxon të kthehet në çështje burokratike, as në vullnet, qejf apo disponim të një funksionari. Zbatoni Ligjin për Gjuhët. Zbatoni Kushtetutën.” Gazeta Flaka
tag_katrorimaqedoni_2