Largimi i Xabi Alonsos nga radari i Liverpoolit, ndërsa Arne Slot mbetet në postin e tij, nuk ishte mënyra se si shumica e tifozëve të “Reds” e kishin imagjinuar situatën e trajnerit në javën e fundit të sezonit.
Liverpooli ende ka punë për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve të sezonit të ardhshëm, vetëm një vit pas fitimit të Premierligës në sezonin e parë të Slotit në krye.
Trajneri holandez po përballet me presion gjithnjë e më të madh, me ekipin e tij në vendin e pestë dhe vetëm një ndeshje të mbetur për t’u luajtur.
Ata patën mundësinë të siguronin kualifikimin në garën elitare të Evropës duke mposhtur Aston Villën të premten në mbrëmje.
Por Villa i dominoi dhe i kaloi në tabelë, duke siguruar vetë një vend në Champions për sezonin 2026-27.
Sloti tashmë shihet si i “mbaruar” nga një pjesë e madhe e tifozëve, ndërsa komentet kritike të Mohamed Salahut pas ndeshjes kanë shtuar edhe më shumë fokusin mbi të dhe të ardhmen e tij në “Anfield”.
“Rënia jonë në një tjetër humbje këtë sezon ishte shumë e dhimbshme dhe jo ajo që meritojnë tifozët tanë. Dua të shoh Liverpoolin të kthehet te futbolli ‘heavy metal’, një stil sulmues që kundërshtarët e frikësojnë dhe një ekip që fiton trofe. Ky është futbolli që unë e di të luaj dhe kjo është identiteti që duhet të rikthehet dhe të mbahet përgjithmonë,” thuhej në një deklaratë të Salahut në rrjetet sociale, ku forma e tij këtë sezon mund të shihet gjithashtu si arsye për më shumë vetëkritikë, të paktën derisa objektivi i dytë – kualifikimi në Champions – është ende në lojë.
Spekulimet për të ardhmen e Slotit po rriten vazhdimisht, dhe deklaratat e fundit të Salahut thuhet se e kanë përshpejtuar këtë situatë.
“Sugjerimet e Salahut kanë nxitur reflektim të madh brenda klubit, me figura të larta që e kuptojnë pse egjiptiani shprehu frustrimet e tij pas një sezoni shumë zhgënjyes,” raporton “TEAMtalk”.
“Fenway Sports Group po shqetësohet gjithnjë e më shumë jo vetëm nga rezultatet e Liverpoolit, por edhe nga atmosfera e përgjithshme rreth skuadrës dhe projektit përpara verës”, thuhet në raportim.
“Edhe pse FSG nuk e menaxhon drejtpërdrejt operacionin futbollistik, drejtuesit Michael Edwards dhe Richard Hughes po e vlerësojnë vazhdimisht situatën dhe po diskutojnë skenarë të ndryshëm për të ardhmen”, vazhdon raportimi.
Me Xabi Alonson jashtë tregut, presioni mbi hierarkinë e klubit rritet për të marrë vendimin e duhur për trajnerin e ardhshëm.
Sipas “TEAMtalk”, trajneri i Stuttgartit, Sebastian Hoeneß, është një nga objektivat potencialë, së bashku me gjermanin Julian Nagelsmann, i cili do ta udhëheqë kombëtaren në Kupën e Botës muajin e ardhshëm.
Trajneri i Al-Ahli, Matthias Jaissle, është gjithashtu një kandidat i mundshëm gjerman, ndërsa trajneri i larguar i Bournemouthit, Andoni Iraola, mbetet një nga emrat e preferuar të vendimmarrësve te Liverpooli./GazetaExpress/