Kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Muhamed Murtezi, ka reaguar në prag të protestës së studentëve lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se kërkesat e tyre janë të drejta dhe se institucionet duhet të ofrojnë zgjidhje.
Në një postim publik, Murtezi ka bërë dallimin mes, siç i quan ai, “të djeshmëve” dhe “të sotmëve”, duke akuzuar ish-pushtetarët se i lanë studentët në këtë gjendje dhe tani, sipas tij, po përpiqen të përfitojnë politikisht nga pakënaqësia e tyre.
“Studentët janë në të drejtë, rreth kësaj besoj nuk ka asnjë kundërshti, nga askush”, shkruan Murtezi, duke shtuar se ata që sot janë në pushtet “duhet të gjejnë zgjidhje për problemet dhe kërkesat që ata kanë”.
Ai thekson se ata që kanë qeverisur më parë “nuk do të heqin dorë kollaj nga zhurma”, ndërsa aktualët, sipas tij, nuk guxojnë të ndalen në përmbushjen e obligimeve të marra përsipër.
Murtezi shpreh bindjen se “e sotmja” do të jetë më e suksesshme se “e djeshmja”, duke shtuar se për zgjidhjen e problemeve të studentëve “nuk do të nevojiten dy dekada të plota, sikur deri më tani”.
tag_katrorimaqedoni_2