Tifozët Kuqezi të Kombëtares Shqiptare dhe tifo-grupi “Plisat” nga Prishtina kanë konfirmuar mbështetjen e tyre për protestën e studentëve shqiptarë që do të mbahet më 18 maj në Shkup, në mbrojtje të së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e Jurisprudencës.
Përmes thirrjeve publike në rrjetet sociale, të dy grupet kanë ftuar qytetarët që t’u bashkohen studentëve në protestën që do të mbahet të hënën, ora 16:30 para Urës së Gurit në Shkup.
Në reagimin e tyre, “Plisat” theksojnë se “sa herë që preken interesat kombëtare, Plisat do të jenë aty”, duke shtuar se gjuha shqipe është “e pacenueshme dhe e paprekshme” dhe se do të vazhdojë të përdoret kudo ku jetojnë shqiptarët.
Ata gjithashtu kanë bërë të ditur se do të jenë të pranishëm në “Shkupin shqiptar”, përkrah studentëve nga Ilirida, duke e cilësuar protestën si një kauzë kombëtare për drejtësi, dinjitet dhe mbrojtje të identitetit shqiptar.
Mbështetja e tifozëve Kuqezi dhe e “Plisave” vjen vetëm pak ditë para protestës së paralajmëruar nga studentët shqiptarë, të cilët kërkojnë respektimin e të drejtës ligjore për t’iu nënshtruar provimit të Jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Kjo protestë tashmë ka marrë mbështetje të gjerë nga organizata studentore, figura publike, profesorë universitarë, diaspora shqiptaro-amerikane, si dhe grupe të ndryshme qytetare e tifozësh shqiptarë nga rajoni.
tag_katrorimaqedoni_2