Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka thirrur zyrtarët e lartë të organizatës në një takim urgjent në Marok. Sipas “The Times”, kreu i FIFA-s, i cili është përballur me kritika të shumta, po përpiqet të rikthejë qetësinë brenda organit qeverisës të futbollit botëror gjatë takimit në Rabat. Rezistenca ndaj politikave të tij po rritet jo vetëm jashtë FIFA-s, por edhe brenda vetë organizatës.
Në qendër të krizës është plani tashmë i tërhequr i Infantinos për krijimin e një sipërmarrjeje të re komerciale përmes FIFA Forward Enterprise. Ajo do të menaxhonte, mes të tjerash, të drejtat komerciale të Kupës së Botës dhe Kupës së Botës për Klube, ndërsa një pjesë e aksioneve do t’u ofrohej investitorëve privatë. Propozimi hasi në kundërshtime të forta dhe madje shkaktoi kërcënime për bojkot. Sipas “The Times”, edhe mbështetja brenda FIFA-s ishte shumë e kufizuar.
Situata është rënduar edhe më shumë nga një akuzë serioze që vjen nga Jordania. Princi Ali bin al-Hussein, kryetar i Federatës së Futbollit të Jordanisë dhe ish-kandidat për president të FIFA-s, ka akuzuar drejtuesit e organizatës për “shantazh”. Sipas tij, gjatë Kupës së Botës iu la të kuptohej se mbështetja për rizgjedhjen e Infantinos mund të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve që federata jordaneze kishte ngritur pranë FIFA-s.
“Prej muajsh, FIFA ka refuzuar të na ndihmojë për këto dhe çështje të tjera,” deklaroi Ali. Ai shtoi se gjatë Kupës së Botës iu tha verbalisht se shprehja e mbështetjes për Infantinon “do të ndihmonte shumë” në zgjidhjen e kërkesave të Federatës së Futbollit të Jordanisë. “Ne nuk e kemi mbështetur më parë dhe sigurisht që nuk do ta bëjmë as tani. E gjithë kjo situatë përbën shantazh dhe ne refuzojmë t’i nënshtrohemi.”
Ndër të tjera, Jordania kishte kërkuar ndihmën e FIFA-s për problemet me vizat amerikane për tifozët, çështjet tatimore që lidhen me pjesëmarrjen në Kupën e Botës, si dhe për shpërblimet financiare nga Kupa Arabe e FIFA-s 2025, të cilat ende nuk janë paguar. Këto akuza po shtojnë presionin mbi Infantinon në një moment kur pozita e tij është tashmë e lëkundur për shkak të dështimit të planit të tij të investimeve.
Edhe Arsène Wenger është distancuar publikisht nga zhvillimet. Ish-trajneri i Arsenalit, i cili mban postin e drejtorit për Zhvillimin Global të Futbollit në FIFA, tha se nuk kishte dijeni për planin e diskutueshëm.
“Nuk kam qenë i përfshirë në këtë plan strategjik dhe kam dëgjuar për të për herë të parë përmes raportimeve mediatike,” deklaroi Wenger, duke shtuar se tërheqja e planit ishte “absolutisht e nevojshme”.
Gjithashtu, edhe sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafström, ka shprehur kritika të brendshme ndaj zhvillimeve të fundit./GazetaExpress/