Klubeve të La Ligas po vazhdojnë me ritëm aktivitetin në afatin kalimtar veror, por drejtuesit e kampionatit spanjoll kanë ngritur alarmin se shpenzimet marramendëse të klubeve të Premierligës po krijojnë një realitet të ri, i cili po rrit çmimet e futbollistëve dhe po e vështirëson përfundimin e transferimeve.
Deri në fund të këtij afati kalimtar, La Liga pret që klubet e saj të kenë shpenzuar rreth 800 milionë euro. Në krye të listës janë Real Madridi, Barcelona dhe Atletico Madridi.
Marta Alonso, zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme për çështje institucionale në La Liga, shpjegoi se klubet e kampionatit spanjoll kanë qenë shumë më aktive se në sezonet e kaluara. Sipas saj, Real Madridi dhe Barcelona, të cilat kanë përmirësuar gjendjen e tyre financiare, po udhëheqin tregun së bashku me disa klube të tjera.
Alonso paralajmëroi se politika e shpenzimeve në Premierligë ka fryrë artificialisht çmimet e futbollistëve, pasi klubet angleze po paguajnë shuma transferimi dhe paga që tejkalojnë vlerën reale të tregut. Ajo beson se kjo ka krijuar një “flluskë” financiare që do të ndikojë edhe në kampionatet e tjera evropiane.
Sipas saj, klubet e Premierligës duhej të shpenzonin rreth 1.6 miliard euro në përputhje me të ardhurat e tyre, por ato e kanë tejkaluar ndjeshëm këtë shifër. Sipas faqes “Transfermarkt”, shpenzimet e tyre kanë arritur tashmë në 1.865 miliard euro, edhe pse ka mbetur edhe një muaj deri në mbylljen e afatit kalimtar.
Për klubet spanjolle, pasojat janë të qarta. Alonso theksoi se ato do të detyrohen të paguajnë më shumë për të transferuar futbollistë, ndërsa do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të bindin lojtarët që të zgjedhin Spanjën në vend të Anglisë. Gjithashtu, mbajtja e talenteve vendase do të bëhet më e vështirë përballë fuqisë financiare të klubeve angleze.
Sa i përket investimeve, Barcelona ka shpenzuar rreth 110 milionë euro për Anthony Gordon, Karim Adeyemi dhe Yann Bisseck. Real Madridi ka investuar afro 100 milionë euro për Marc Cucurella, Denzel Dumfries dhe Espie, ndërsa ka transferuar pa dëmshpërblim Bernardo Silvën dhe Ibrahima Konatén. Klubi madrilen vazhdon gjithashtu punën për transferimet e Rodrit dhe Ousmane Diomandes.
Nga ana tjetër, Atletico Madridi ka investuar rreth 102 milionë euro për Morten Hjulmand, Lee Kang-in dhe Alejandro Grimaldo.
Edhe klubet e tjera kanë qenë aktive. Real Betisi ka shpenzuar 14.5 milionë euro pas kualifikimit në Ligën e Kampionëve, ndërsa Getafe ka investuar 19 milionë euro pas sigurimit të pjesëmarrjes në UEFA Conference League.
La Liga bëri të ditur se deri tani klubet e elitës spanjolle kanë shpenzuar rreth 400 milionë euro, gjysma e shumës që pritet të investohet deri në fund të afatit veror.
Sipas drejtuesve të kampionatit, klubet do të ndahen në dy kategori: ato që do të jenë në gjendje të përballojnë rritjen e çmimeve dhe ato që do të hasin vështirësi financiare. Për këtë arsye, shumë skuadra do të orientohen drejt alternativave të tjera, si zhvillimi i futbollistëve nga akademitë ose transferimet me kosto të ulët.
Alonso theksoi se shpenzimet gjigante të klubeve të Premierligës nuk përfaqësojnë një investim të shëndetshëm, por shkatërrimin e tregut.
“Të paguash qindra miliona euro për futbollistë, kur vlera e tyre reale nuk është ajo, është njësoj si të blesh një shtëpi për tre milionë euro, kur vlera e saj nuk i kalon 500 mijë eurot”, u shpreh ajo.
Sipas raportit të publikuar të martën nga gazeta AS, gjithnjë e më shumë klube spanjolle po fokusohen te ruajtja e talenteve që kanë në skuadër ose që dalin nga akademitë e tyre.
Alonso shtoi:
“Ne e kemi orientuar politikën e ‘fair play’-it financiar në La Liga pikërisht drejt këtij objektivi, që të mbajmë talentet dhe të mos i humbim për shkak të kufizimeve të pagave. Kemi lejuar rinovimin e kontratave dhe rritjen e pagave gjatë sezonit edhe nëse tejkalojnë kufirin e shpenzimeve, me kusht që diferenca të kompensohet sezonin pasues. Sa u përket akademive, nëse del një talent dhe është e nevojshme t’i ofrohet kontratë, ai mund të regjistrohet pa asnjë problem. Klubet përpiqen t’i mbajnë talentet dhe t’u ofrojnë kushte të mira financiare.”
Ajo përfundoi duke theksuar se:
“Kjo është një pikëpamje që përpiqemi ta bëjmë gjithmonë të qartë. Fakti që La Liga shpenzon më pak se kampionatet e tjera nuk do të thotë se po ecën keq. Nëse talentin e kemi brenda nesh, pse duhet të shpenzojmë para për një futbollist që nuk është më i mirë se ai që kemi? Problemi i vetëm për ne do të ishte nëse nuk do të arrinim t’i mbanim këto talente.”
Në fund, Alonso pranoi se lëvizjet në merkato do të ekzistojnë gjithmonë.
“Për shkak të pritshmërive të futbollistëve, gjithmonë do të ketë transferime. Kjo është e pamohueshme. Por askush nuk e vë në dyshim atraktivitetin e La Ligas. Për transferimin e Mbappes nuk u pagua asnjë euro. E njëjta gjë vlen edhe për Lamine Yamalin dhe Pedrin. Për ne, shpenzimet në tregun e transferimeve nuk janë tregues nëse La Liga po ecën mirë apo jo”./GazetaExpress/