Barcelona është zënë disi në befasi nga deklaratat e fundit të sulmuesit Ferran Torres, por klubi nuk e ka humbur qetësinë. Drejtuesit katalanas e kishin ndier prej kohësh se lojtari mund të fliste publikisht, pa i mohuar zërat që qarkullojnë prej javësh për interesimin e Paris Saint-Germain për ta transferuar.
Torres deklaroi të hënën, kur u pyet për interesimin e kampionëve francezë:
“Në këtë moment kam kontratë me Barcelonën, por sinqerisht, në futboll askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë.”
Sipas gazetës “Mundo Deportivo”, ajo që i ka befasuar drejtuesit e Barcelonës është fakti se Torres po kërkon që klubi t’i dëshmojë se dëshiron ta mbajë. Në fakt, Barcelona i ka bërë të qartë prej javësh se synon t’ia rinovojë kontratën, por kjo mund të ndodhë vetëm në shtator për shkak të kufizimeve të “fair play”-it financiar, pasi fillimisht duhet të përfundojnë largimet dhe afrimet në merkato.
Në klub gjithashtu theksojnë se kanë qenë gjithmonë pranë Ferran Torresit, edhe gjatë periudhave kur ai nuk shënonte sezonin e kaluar, sepse vlerësojnë më shumë përkushtimin dhe punën e tij të përditshme sesa numrin e golave.
Me deklaratat e tij, Torres duket se ka sfiduar klubin, por sipas “Mundo Deportivo”, Barcelona nuk ka ndërmend të lëvizë asnjë centimetër nga qëndrimi i saj.
Klubi mbetet i bindur se dëshiron ta mbajë sulmuesin, por vetëm brenda afateve të planifikuara dhe me të njëjtat parametra financiarë. Barcelona e konsideron pagën aktuale të Torresit të përshtatshme me rolin që ai ka në skuadër dhe me vlerësimin që trajneri ka për të, ndaj nuk parashikon ndonjë rritje të konsiderueshme në ofertën për rinovim.
Nga ana sportive, në “Camp Nou” ekziston një bindje e qartë: minutat dhe roli i Ferranit varen vetëm nga Hansi Flick, një trajner që shpërblen meritën dhe që në fillim të sezonit të kaluar i dha përparësi Torresit ndaj Robert Lewandowskit.
Megjithatë, një gjë është vlerësimi që Flick ka për Ferranin, ndërsa krejt tjetër është fakti që trajneri nuk ka mundur të kërkojë transferimin e një sulmuesi të nivelit të lartë, si Julián Álvarez, pas largimit të Lewandowskit. Barcelona është plotësisht e vetëdijshme për këtë situatë.
Po ashtu, drejtuesit nuk e kuptojnë pse Ferran duhet të ndihet i pakënaqur nëse Flick nuk e sheh si zgjedhjen e parë në sulm. Në fund të fundit, ai është zakonisht zëvendësues i Mikel Oyarzabal te kombëtarja e Spanjës dhe pikërisht nga stoli hyri për të shënuar golin e fitores në finalen e Kupës së Botës.
Sa i përket interesimit të Paris Saint-Germain, qëndrimi i Barcelonës është po aq i qartë, sipas gazetës:
“Nëse Ferran dëshiron të largohet, duhet ta kërkojë vetë. Dhe nëse ka një ofertë që dëshiron ta pranojë, duhet ta njoftojë klubin e interesuar që ta paraqesë atë. Më pas, bordi drejtues dhe drejtuesit ekzekutivë të Barcelonës do ta vlerësojnë.”
Deri tani një ofertë e tillë nuk ka mbërritur dhe disa në klub dyshojnë nëse do të vijë ndonjëherë. Madje, figura me ndikim te Barcelona nuk e përjashtojnë mundësinë që synimi i vërtetë i Ferran Torresit të jetë shfrytëzimi i popullaritetit që po gëzon aktualisht për të siguruar një kontratë të re me kushte më të mira financiare.
Për këto arsye, në “Camp Nou” po presin me qetësi zhvillimet. Plani i Barcelonës mbetet i pandryshuar. Vetëm Ferran Torres mund ta ndryshojë atë, duke shprehur dëshirën për t’u larguar dhe duke sjellë një ofertë bindëse për presidentin Joan Laporta dhe drejtorin sportiv Deco. Ndërsa, nëse Paris Saint-Germain është vërtet i interesuar, atëherë ka fuqinë financiare për të bindur pothuajse çdo klub./GazetaExpress/