Te Real Madridi pritet një verë me shumë ndryshime pas një sezoni zhgënjyes, të cilin madrilenët rrezikojnë ta mbyllin pa asnjë trofe të madh.
Eliminimi nga Liga e Kampionëve, humbjet në garat vendore dhe vendi i dytë në La Liga e kanë shtuar pakënaqësinë te tifozët dhe drejtuesit e klubit.
Sipas raportimeve nga Italia dhe Anglia, një nga emrat që mund të largohet surprizueshëm nga “Santiago Bernabéu” është ai i Federico Valverde, përcjell “Gazeta Express”.
Mesfushori uruguaian vazhdon të jetë një nga lojtarët më të vlerësuar në Evropë dhe interesimi më konkret duket se vjen nga Manchester United.
Mediumi britanik “Star” raporton se drejtuesit e klubit anglez po e shqyrtojnë mundësinë për ta bërë një ofertë të rëndësishme gjatë afatit kalimtar të verës për ta transferuar 27-vjeçarin në “Old Trafford”.
Ende nuk ka negociata zyrtare mes klubeve, por ideja po merr formë dita-ditës.
Valverde ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2029 dhe konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të skuadrës, falë fleksibilitetit të tij në mesfushë, energjisë dhe aftësisë për të luajtur edhe në role të tjera.
Megjithatë, situata e tensionuar brenda klubit dhe mundësia e një rindërtimi të ekipit mund të sjellin vendime të papritura gjatë verës.
Në javët e fundit, emri i Valverdes është përfshirë edhe në disa polemika të brendshme te madrilenët.
Mediat spanjolle raportuan për tensione në dhomat e zhveshjes, madje edhe për një incident me shokun e skuadrës Aurélien Tchouaméni, çka i ka shtuar spekulimet për ndryshime të mëdha në organikën e ekipit.
Nga ana tjetër, Manchester United po kërkon ta rindërtojë mesfushën dhe e sheh Valverden si profilin ideal për projektin e ri sportiv.
Klubi anglez beson se uruguaiani mund të sjellë intensitet, eksperiencë dhe cilësi në repartin qendror, sidomos pas një sezoni me shumë ulje-ngritje në Premierligë.
Mbetet për t’u parë nëse Real Madridi do të jetë i gatshëm t’i dëgjojë ofertat për njërin nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, por vera pritet të jetë shumë e nxehtë në Madrid. /Gazeta Express