José Mourinho i ka komentuar sërish zërat për një rikthim të mundshëm te Real Madridi, ndërsa aktualisht është në krye të Benficas.
Trajneri portugez, i cili më parë i ka drejtuar “Los Blancos” nga viti 2010 deri në 2013, është lidhur shpesh me një kthim në “Santiago Bernabeu”, por ai ka preferuar të mos e japë një përgjigje të prerë.
“Special One” u shpreh se në futboll asgjë nuk mund të përjashtohet plotësisht, duke e lënë të hapur derën për një rikthim të mundshëm në të ardhmen.
63-vjeçari në një intervistë për mediumin italian “Il Giornale” e theksoi respektin e madh që e ka për klubin spanjoll dhe për presidentin Florentino Perez, me të cilin mban ende një raport të mirë profesional, përcjell “Gazeta Express”.
Aktualisht, Mourinho është i fokusuar te Benfica, ku po e drejton një projekt të ri dhe konkurrues në Portugali dhe në garat evropiane.
Megjithatë, spekulimet për të ardhmen e tij vazhdojnë të rriten.
Në intervistën e tij, Mourinho u pyet gjithashtu për klubin më të mirë ku ka punuar gjatë karrierës së tij të gjatë si trajner.
Pa hezitim, ai e vlerësoi eksperiencën e tij te Real Madrid si një nga më të veçantat, duke e cilësuar si një periudhë të rëndësishme në karrierën e tij, si për nivelin e klubit ashtu edhe për sfidat që kishte përballë.
Por, Romën e konsideroi si vendin më të mirë ku ka punuar deri tash në karrierë. /Gazeta Express