E ardhmja e Edon Zhegrova mbetet në qendër të vëmendjes, por duket se vetë lojtari ka marrë tashmë një vendim të qartë: të vazhdojë karrierën te Juventus.
Sulmuesi anësor i kombëtares së Kosovës, pavarësisht një sezoni nën pritshmëri në aspektin individual, ka shprehur dëshirën e fortë për të qëndruar në Torino. Sipas raportimeve të Calciomercato.com, Zhegrova madje u ka kërkuar agjentëve të tij të “ngrijnë” çdo ofertë të mundshme transferimi deri në përfundim të sezonit.
Ky qëndrim tregon qartë ambicien e lojtarit për të dëshmuar vlerat e tij dhe për të fituar më shumë hapësirë në formacionin e “bardhezinjve”.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Juventusit mbeten të hapur për oferta, duke kërkuar rreth 11 deri në 12 milionë euro për kartonin e tij, në mënyrë që të shmangin humbje financiare. Megjithatë, dëshira e lojtarit për të qëndruar mund të ndikojë në vendimin final.
Javët në vijim pritet të jenë vendimtare, por për momentin, mesazhi i Zhegrovës është i qartë: ai dëshiron të vazhdojë aventurën te Juventusi dhe të luftojë për vendin e tij.