Ylli i ri i Barcelonës, Lamine Yamal, është kritikuar për mungesë profesionalizmi pasi 18-vjeçari pësoi një tërheqje muskulore në kofshë të mërkurën mbrëma, vetëm dy ditë pasi kishte festuar fitimin e një çmimi.
Alarmi u ndez në Spanjë pasi Yamali doli duke çaluar nga fusha pas shënimit të një penalltie në fitoren 1-0 ndaj Celta Vigos.
Tani kampionët e Europës, Spanja, janë të shqetësuar për gjendjen e tij, më pak se dy muaj para fillimit të Botërorit 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Barcelona konfirmoi të enjten se Yamali do të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit vendas, por “pritet të jetë i gatshëm për Botërorin”, me Spanjën që nis fushatën më 15 qershor ndaj Kepit të Gjelbër – një afat i ngushtë, vetëm dy javë e gjysmë pas ndeshjes së fundit të kampionatit.
Dy netë para ndeshjes me Celta Vigon, sulmuesi i ri festoi fitimin e çmimit “Sportisti i Ri i Vitit” në “Laureus World Sports Awards” në Madrid.
Ai publikoi një foto duke festuar me ushqim të shpejtë (fast food) nga “McDonald’s” në një avion privat gjatë kthimit për në Barcelonë – një moment që nuk kaloi pa u vënë re nga prezantuesi i “Dsports”, Juan Furlanich.

“Është e pabesueshme që Lamine Yamal u dëmtua duke goditur një penallti,” tha ai.
“Një futbollist që më pak se 48 orë më parë po konsumonte ushqim të shpejtë dhe udhëtonte natën vonë me avion privat, vetëm 48 orë para një ndeshjeje. Nuk besoj se është rastësi – lidhet me mungesën e kujdesit, pushimit dhe përgatitjes”, tha ai.
Yamali është një figurë kyçe për ambiciet e Spanjës në Botëror, pasi pati rol të rëndësishëm në triumfin në EURO 2024.
Ndërkohë, Barcelona është në rrugë të mirë për të mbrojtur titullin në La Liga, duke krijuar një epërsi prej nëntë pikësh ndaj rivalit të madh Real Madridit me gjashtë ndeshje të mbetura.
Yamali shprehu zhgënjimin e tij në rrjetet sociale, duke premtuar se do ta mbështesë ekipin nga jashtë deri në fund të sezonit.
“Ky lëndim më lë jashtë në momentin që doja më shumë të isha në fushë, dhe më dhemb më shumë se mund ta shpjegoj. Më dhemb që nuk mund të luftoj me shokët e skuadrës, që nuk mund të ndihmoj kur ekipi ka nevojë për mua. Por besoj te ta dhe e di që do të japin maksimumin në çdo ndeshje.
Do të jem aty, edhe nga jashtë, duke mbështetur dhe inkurajuar si një prej tyre. Ky nuk është fundi, është vetëm një pauzë. Do të rikthehem më i fortë dhe sezoni tjetër do të jetë më i mirë. Faleminderit për mesazhet dhe Viva Barca”, tha ai./GazetaExpress/