Dy pjesëtarë të forcave mbrojtëse të Izraelit janë akuzuar për spiunazh në dobi të Iranit.
Prokuroria ushtarake ka ngritur padi ndaj tyre, të enjten, për kryerje të veprave që cenojnë sigurinë e shtetit, në favor të elementeve të inteligjencës iraniane, njofton agjencia e lajmeve TPS-IL, transmeton KosovaPress.
Të akuzuarit, që punojnë si teknikë në Forcat Ajrore, janë arrestuar në mars.
Njëri ushtar ngarkohet se “ndihmoi armikun në kohë lufte, dhënie informacioni armikut, ndihmë në kontakt me një agjent të huaj dhe vepra të tjera”. Ushtari tjetër akuzohet për “kontakt me një agjent të huaj, dhënie informacioni armikut dhe vepra të tjera”.
Gjatë marrjes në pyetje, ata kanë deklaruar se kontaktet me operativët iranianë u ndërprenë pasi refuzuan të kryenin misione që përfshinin armë. Megjithatë, edhe pasi lidhja u ndërpre me iniciativë të operativit, ata, siç raporton TPS-IL, nuk ndalën përpjekjet për ta rifilluar kontaktin, me qëllim përfitimi financiar.
Sipas aktakuzës, dy ushtarët kanë qenë në kontakt për disa muaj me zyrtarë të inteligjencës iraniane dhe, nën udhëzimet e tyre, kanë kryer një sërë detyrash kundrejt pagesës. Njëri prej tyre madje i ka dhënë një agjenti të huaj iranian materiale nga trajnimi i tij ushtarak që lidhen me sistemet e avionëve luftarakë, si dhe dokumentim të objekteve dhe zonave në një bazë ushtarake izraelite.