Situata te Real Madridi është gjithnjë e më e tensionuar, me skuadrën që rrezikon ta mbyllë edhe një sezon tjetër pa trofe, duke e çuar në dy vite radhazi periudhën pa suksese madhore.
Trajneri Álvaro Arbeloa, megjithatë, nuk duket i shqetësuar për të ardhmen e tij dhe preferon të fokusohet te ndeshjet e mbetura, shkruan “Gazeta Express”.
“Dy sezone pa fituar asgjë… Real Madridi është një klub ku zakonisht gjërat shkojnë mirë. Ka momente kur nuk ndodh kështu, por mentaliteti është gjithmonë të shohim përpara.”
Trajneri spanjoll e bëri të qartë se nuk mendon për pozicionin e tij: “Nuk është vendimi im. Nuk jam aspak i shqetësuar për të ardhmen time.”
Madje ai e theksoi raportin e mirë me drejtuesit: “Komunikoj me klubin çdo javë dhe kemi një marrëdhënie shumë të mirë.”
Dhe e mbylli duke e treguar prioritetin e vetëm: “E vetmja gjë që më shqetëson është ndeshja e radhës.”
Pavarësisht kritikave dhe rezultateve zhgënjyese – eliminimi nga Champions League dhe distanca në La Liga – Arbeloa kërkon reagim nga skuadra në xhirot e fundit të sezonit, duke theksuar se çdo ndeshje është vendimtare për imazhin e klubit. /Gazeta Express