Michele Uva, drejtor ekzekutiv i UEFA-s për EURO 2032, është i bindur se Italia nuk do ta humbasë rolin si bashkë-organizatore e turneut, por ka paralajmëruar qytete si Milani dhe Napoli se mund të mbesin jashtë nëse nuk përmbushin kriteret.
Duke folur në një event në Milano, Uva komentoi edhe deklaratat e presidentit të UEFA-s, Aleksander Čeferin, i cili së fundmi kishte paralajmëruar se Italia mund të humbasë organizimin për shkak të infrastrukturës së dobët.
“Ka të drejtë dhe ka dërguar një mesazh të qartë. Po punojmë intensivisht dhe jam i bindur se Italia do ta organizojë Kampionatin Evropian me pesë stadiume,” tha Uva.
“Nuk ka vonesa dhe jemi në përputhje me planin. Nuk ka arsye për alarm”, shtoi ai.
Ai shtoi se tetë qytete aktualisht janë në garë për të qenë nikoqirë, ndërsa deri në mes të shtatorit, Federata Italiane e Futbollit (FIGC) do të zgjedhë pesë stadiumet që do t’i paraqiten UEFA-s. Vendimi final për qytetet pritëse pritet në fillim të tetorit.
Sipas raportimeve të mediave italiane, vetëm stadiumi i Juventusit, “Allianz Stadium” në Torino, aktualisht i përmbush të gjitha kriteret pa pasur nevojë për rinovime shtesë.
Ndërkohë, “San Siro” në Milano nuk ka kaluar inspektimin e UEFA-s.
Uva paralajmëroi qartë: “Nëse Milano nuk ndërton një stadium të ri, turneu do të zhvillohet pa Milanon”.
Ai shtoi se edhe Napoli është në rrezik.
“Nëse procesi ngadalësohet dhe nëse Milano, ashtu si Napoli, nuk i përmbush kërkesat, ato nuk do të përfshihen në dosjen e kandidimit”, u shpreh ai.
Kujtojmë se klubet Milani dhe Interi kanë blerë së fundmi zonën e “San Siros” dhe kanë paraqitur projektin për stadium të ri, por marrëveshja është aktualisht nën hetim nga autoritetet italiane./GazetaExpress/
Një lajm I mirë për bashkëatdhetarët tanë në zonën Karlsruhe-Baden-Baden! Duke filluar nga kjo verë, Reisebüro Prishtina sjell një...