Një kompani eventesh me bazë në Miami ka ngritur padi ndaj Lionel Messit dhe Federatës Argjentinase të Futbollit, pasi fituesi i tetëfishtë i Topit të Artë u pushua në një ndeshje miqësore vitin e kaluar.
Messi vendosi të mos luajë në ndeshjen ndaj Venezuelës, ndërsa kompania “VID Music Group” pretendon se ai kishte premtuar të luante të paktën 30 minuta në atë përballje – përveç rastit kur ishte i dëmtuar.
Sipas kushteve të marrëveshjes mes federatës argjentinase dhe “VID”, Messi duhej të luante 30 minuta në dy miqësore kundër Venezuelës dhe Porto Rikos.
Megjithatë, më 10 tetor, Messi e ndoqi ndeshjen ndaj Venezuelës nga tribunat.
Një ditë më pas, ai luajti për Inter Miamin dhe shënoi dy gola në fitoren 4-0.
Dritarja ndërkombëtare e tetorit nuk ishte e njohur në atë kohë nga MLS, kështu që ndeshjet u zhvilluan gjatë sezonit të rregullt të ligës.
Për këtë arsye, Messi nuk ishte i detyruar të paraqitej për Argjentinën.
Ai e anashkaloi miqësoren e parë për të qenë i freskët për ndeshjet e Inter Miamit në garën për “play-off”.
Megjithatë, ai luajti katër ditë më vonë, më 14 tetor, në fitoren 6-0 ndaj Porto Rikos.
“VID” pretendon se kontrata e nënshkruar me Federatën Argjentinase kishte vlerë 7 milionë dollarë.
Organizatori gjithashtu thekson në padi se u njoftua për refuzimin e Messit për të luajtur në miqësoren e parë vetëm një ditë para ndeshjes – dhe se vendimi nuk u komunikua në kohë nga federata.
Sipas tyre, kjo ndikoi negativisht në shitjen e biletave dhe u shkaktoi humbje të mëdha financiare./GazetaExpress/
Një lajm I mirë për bashkëatdhetarët tanë në zonën Karlsruhe-Baden-Baden! Duke filluar nga kjo verë, Reisebüro Prishtina sjell një...