Autizmi tek fëmijët mund të diagnostikohet më shpesh sesa duhet, duke rrezikuar jo vetëm vetë fëmijët, por edhe ata që kanë nevojat më të mëdha për mbështetje, paralajmërojnë ekspertët.
Sipas studiuesve, disa sjellje që shpesh konsiderohen si shenja tipike të autizmit – si vështirësia për të mbajtur kontaktin me sy apo ecja në majë të gishtave – nuk do të thotë domosdoshmërisht që një fëmijë ka këtë çrregullim zhvillimor.
Ata gjithashtu vënë në dyshim konceptin e ashtuquajtur “maskim” (apo përshtatje sociale), ku individët me autizëm supozohet se fshehin apo modifikojnë sjelljen e tyre për t’u përshtatur në situata sociale.
Ky debat vjen në një kohë kur numri i diagnozave është rritur ndjeshëm. Vetëm në Angli, mbi 166,000 nxënës janë identifikuar me autizëm, një rritje prej 8% që nga viti 2020.
Sipas shërbimeve shëndetësore, shenjat tek fëmijët e vegjël mund të përfshijnë shmangien e kontaktit me sy, mungesën e reagimit ndaj emrit, lëvizje të përsëritura dhe interes të kufizuar në lojë. Tek fëmijët më të rritur, këto mund të shfaqen si rutina të ngurta, interesa intensive dhe vështirësi në komunikimin social.
Megjithatë, një studim i publikuar në JAMA Pediatrics vë në pikëpyetje metodat aktuale të diagnostikimit. Sipas tij, gati gjysma e fëmijëve të diagnostikuar nuk i plotësojnë kriteret për autizëm kur rivlerësohen nga specialistë.
Studiuesit theksojnë se mbidiagnostikimi mund të ketë pasoja të dëmshme, sidomos në shpërndarjen e burimeve. Meqë numri i specialistëve dhe shërbimeve është i kufizuar, diagnozat e tepërta mund të largojnë vëmendjen nga fëmijët me forma më të rënda të çrregullimit.
Në shumë raste, fëmijët me më shumë mundësi dhe mbështetje arrijnë të përfitojnë më lehtë nga sistemi, ndërsa ata më të cenueshmit – që nuk mund të shprehen apo të kërkojnë ndihmë – mbeten pa mbështetjen e nevojshme.
Studiuesit argumentojnë gjithashtu se zgjerimi i përkufizimit të autizmit, si pjesë e një spektri më të gjerë, ka çuar në rritjen e rasteve më të lehta, duke lënë në hije format më të rënda.
Ata theksojnë se disa teste diagnostikuese mund të interpretohen gabim. Për shembull, mungesa e kontaktit me sy mund të lidhet me ankth social ose mungesë përqendrimi, dhe jo domosdoshmërisht me autizmin.
Po ashtu, problemet emocionale dhe të sjelljes mund të ndikojnë në rezultatet e testeve, duke çuar në diagnoza të pasakta. Një studim tjetër i cituar tregon se afro gjysma e fëmijëve të diagnostikuar në komunitet nuk e përmbushnin kriterin për autizëm kur u rivlerësuan nga ekipe kërkimore.
Sjellje të tjera, si ndjeshmëria ndaj rrobave apo ecja në majë të gishtave, mund të keqinterpretohen si shenja të autizmit.
Në lidhje me “maskimin”, studiuesit theksojnë se ky fenomen nënkupton një nivel të caktuar ndërgjegjësimi social – diçka që fëmijët me forma më të rënda të autizmit mund të mos e kenë. Kjo sugjeron se termi përdoret më shpesh për forma më të lehta të spektrit.
Në përfundim, ekspertët paralajmërojnë se mbidiagnostikimi mund të krijojë një “profeci vetëpërmbushëse”. Fëmijët që etiketohen si autikë mund të kenë më pak mundësi për të zhvilluar aftësi sociale dhe të sjelljes.
Nëse një fëmijë i tërhequr socialisht lejohet të izolohet, ai ka më pak mundësi për të praktikuar ndërveprimin dhe për të zhvilluar aftësitë e tij. Po kështu, ekziston rreziku që çdo vështirësi të lidhet automatikisht me autizmin, duke kufizuar potencialin e plotë të fëmijës.
Ekspertët theksojnë se ekziston një dallim i madh mes një fëmije që ka vështirësi për të bërë diçka dhe një fëmije që nuk mund ta bëjë fare – dhe ky dallim nuk duhet të humbasë në interpretimin e spektrit. /GazetaExpress/