Është mbajtur konferenca “Demokracitë Rezistente në Epokën e Informacionit: Perspektiva Nordike mbi luftimin e dezinformimit dhe Forcimin e Qëndrueshmërisë Shoqërore”, e cila mblodhi përfaqësues institucionalë dhe diplomatikë për të diskutuar sfidat bashkëkohore të dezinformimit dhe mënyrat për forcimin e demokracisë në një mjedis gjithnjë e më kompleks informativ, raporton Ekonomia Online.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, tha se dezinformatat për Kosovën vijnë më shumë nga Rusia dhe Serbia.
“Për Kosovën, kjo nuk është brengë e largët. Vazhdojmë të ballafaqohemi me fushata dezinformimi që vijnë kryesisht nga Rusia dhe Serbia, të cilat përpiqen ta cenojnë shtetësinë tonë, ta keqpërfaqësojnë realitetin tonë edhe perceptimin vendor e ndërkombëtar. Këto sfida janë pjesë e një vazhdimësie më të gjerë që afekton reziliencën e demokracive në gjithë rajonin tonë. Në reagim ndaj kësaj, asnjë institucion i vetëm nuk mund të ofrojë përgjigje të plotë. Ndërtimi i reziliencës kërkon një përpjekje gjithëpërfshirëse e të mbështetur që bën bashkë institucionet publike, mediat e pavarura, shoqërinë civile dhe qytetarët. Në këtë drejtim, përvoja e vendeve nordike ofron udhëzime të rëndësishme në gjithë rajonin”.
“Rezilienca përforcohet me edukim, transparencë, llogaridhënie, me një theks të madh mbi edukimin medial dhe pastaj vetëdijen shoqërore. Kosova është e përkushtuar që të avancojë në këtë drejtim. Po punojmë për të përforcuar komunikimin tonë institucional, të përmirësojmë bashkërendimin dhe të mbështesim një mjedis ku informacioni i saktë dhe gazetaria e përgjegjshme mund të lulëzojnë, mund të zhvillohen tutje. Njëkohësisht, e kuptojmë që rezilienca afatgjatë varet nga një shoqëri që është e angazhuar në mënyrë kritike dhe e kuptoj që kjo konferencë do të kontribuojë në mënyrë kuptimplote”, tha Konjufca.