Ka përfunduar 2:1 ndeshja e kthimit në “Metropolitano” kundër Atletico Madridit, megjithatë kjo nuk ishte e mjaftueshme për Barcelonën: pas humbjes 0-2 në ndeshjen e parë të çerekfinales së Champions League, katalunasit në fund e gjetën veten jashtë kompeticionit më prestigjioz evropian.
Por për paraqitjen në fushë dhe sidomos dominimin e lojës (71% posedim topi me 2.22 xG), pati nga ata që nuk u përmbajtën në deklaratat pas ndeshjes.
Bëhet fjalë për Gavin, mesfushorin e Barcelonës që është rikthyer së fundmi nga një lëndim i rëndë: në mikrofonat e “TNT Sports Mexico”, pavarësisht eliminimit, ai e përsëriti disa herë se ndjehen skuadër më e fortë se kundërshtarët, përcjell “Gazeta Express”.
“Ky eliminim na dhemb. Jemi shumë më të mirë se Atletico Madridi, por në këtë sport ka rëndësi të shënosh dhe ata shënuan më shumë se ne”, deklaroi 21-vjeçari dukshëm i irrituar.
“Ndoshta ata kanë më shumë përvojë në këtë lloj ndeshjesh, edhe kjo ka rëndësi. Sot i ‘hëngrëm për mëngjes’, i dominuam gjatë gjithë ndeshjes. Kështu është…”, vazhdoi spanjolli, duke i komentuar statistikat: 14 goditje dhe 2 gola për Barcelonën kundrejt 4 goditjeve në portë të Atleticos, që shënoi 3 herë.
“Ata vijnë një herë, shënojnë dhe aty eliminimi bëhet më i vështirë dhe ti shkon në shtëpi. Kështu ndodhi.”
Gavi e konfirmoi gjithashtu një përplasje mes stafit teknik të Diego Simeones dhe anëtarëve të Barcelonës.
“Në fund të ndeshjes je ende ‘i nxehtë’”.
Në fund ai e përsëriti ndjenjën e superioritetit ndaj kundërshtarit: “E dimë që jemi shumë më të mirë se ata. Bëhet fjalë për të shënuar dhe për të fituar, dhe kështu ndodhi.” /Gazeta Express