Bayern Munichu dhe Real Madridi do të ndeshen nesër, e mërkurë, me fillim nga ora 21:00 në “Allianz Arena”, me ndeshjen që i përket ndeshjeve të kthimit në kuadër të çerekefinaleve të Ligës së Kampionëve.
Mirëpo, përballja mes trajnerëve ka filluar që sot, ditë e martë, shkruan “Gazeta Express”.
Trajneri i Bayern Munichut, Vincent Kompany, u përpoq të zbusë pritshmëritë për një përmbysje të mundshme të Real Madridit, duke sugjeruar se rikthimet e klubit spanjoll nuk janë aq “magjike” sa shpesh perceptohen.
Ai argumentoi se çdo skuadër ka historinë e vet të momenteve legjendare, ndaj përmbysjet e Real Madridit nuk janë domosdoshmërisht diçka unike.
Nga ana tjetër, trajneri i Real Madridit, Álvaro Arbeloa, reagoi shpejt, duke theksuar: “Nuk e di sa skuadra mund të thonë se kanë fituar 15 Liga të Kampionëve”.
Ai theksoi besimin e plotë të skuadrës.
“Jemi të bindur për atë që përfaqësojmë, se mund ta bëjmë dhe jemi të përgatitur për një ndeshje të madhe. Nëse ka një skuadër që mendon për përmbysje, jemi ne. Nuk dorëzohemi kurrë, jemi skuadra me 15 Kupa Evropiane, me lojtarë të mëdhenj që nesër do të jenë 100%”, tha ai.
Arbeloa foli edhe për mungesën e Aurélien Tchouaménit nga formacioni titullar, duke thënë se skuadra ka shumë alternativa dhe ai është i qetë për zgjedhjet e tij.
“E di formacionin që do të hedh nesër, dhe gjithashtu ata që do të jenë në stol dhe do të ndihmojnë në pjesën e dytë”, shtoi ai.
I pyetur për çfarë nevojitet në një ndeshje të tillë, ai u shpreh: “Duhet të luajmë me gjithçka që kemi, në nivel të lartë në çdo aspekt. Nuk mund të gabojmë. Kemi lojtarë fantastikë dhe personalitet për të luajtur si duhet në një stadium të tillë”.
Ai hodhi poshtë idenë se fitimi në stadiumin kundërshtar është “mrekulli”.
“Nuk na duhen mrekulli. Nëse fitojmë në ‘Allianz Arena’, nuk do të ishte çmenduri. Duhet të bëjmë ndeshje të madhe, por jemi të aftë për këtë”, vazhdoi ai.
“Jemi të emocionuar. Të gjithë në Madrid besojnë se mund ta bëjmë. Ne jemi Real Madridi. Po vijmë këtu me bindjen se mund ta bëjmë. Jemi një ekip që nuk dorëzohet kurrë. Kemi fituar Ligën e Kampionëve 15 herë. Askush nuk e di si do të shkojë, por ne do të japim gjithçka”, shtoi Arbeloa.
Duke folur për atmosferën e ndeshjes, Arbeloa tha se skuadra është mësuar me presionin.
“Kemi luajtur këtu shumë herë. Ndihemi rehat dhe duhet ta shijojmë. Lojtarët e Real Madridit duan të jenë këtu dhe të japin më të mirën”, u shpreh trajneri spanjoll.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e efikasitetit në sulm.
“Duhet të krijojmë raste. Nuk do të kemi aq shumë sa në ndeshjen e parë, por duhet të shënojmë. Golat rrisin besimin”, e mbylli ai./GazetaExpress/