Bayer Leverkusen u ndesh me Arsenalin në takimin e parë të fazës së 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve, një përballje që që në fillim shihej si një nga sfidat më të vështira për ekipin gjerman.
Arsenali këtë sezon është konsideruar ndër skuadrat më të fuqishme në Evropë, ndërsa një nga armët më të forta të londinezëve kanë qenë goditjet nga këndi.
“Topçinjtë” kanë shënuar një numër të madh golash pikërisht nga kornerët, gjë që ka bërë që kjo statistikë të diskutohet gjerësisht në opinionin sportiv.
Para zhvillimit të ndeshjes, Bayer Leverkuseni tërhoqi vëmendjen në rrjetet sociale me një postim humoristik.
Klubi publikoi një fotografi pranë flamurit të këndit në ‘BayArena’, ku kishte vendosur një tabelë me mbishkrimin: “Kornerët e ndaluar”.
“Rregull i ri”, shkruhej në përshkrimin e fotografisë, një postim që u bë viral dhe brenda vetëm dy orësh mblodhi afër 100 mijë pëlqime në Facebook, duke argëtuar tifozët e futbollit.
Ndeshja e parë mes Bayer Leverkusenit dhe Arsenalit përfundoi me rezultatin 1-1, ndërsa takimi i kthimit do të zhvillohet javën e ardhshme në stadiumin “Emirates” në Londër, ku do të përcaktohet edhe skuadra që do të vazhdojë rrugëtimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.