Sipas raportimit të “Gazzetta dello Sport”, Juventusi është i kënaqur me paraqitjet e Jeremie Boga deri tani dhe po shqyrton mundësinë që ta bëjë transferimin e tij të përhershëm për më pak se 5 milionë euro.
Klubi torinez është i kënaqur me ndikimin e transferimit të janarit, pasi ish-anësori i Sassuolos dhe Atalantas ka shënuar dy gola dhe ka dhënë një asist në shtatë paraqitje si zëvendësues.
Reprezentuesi i Bregut të Fildishtë u transferua në stadiumin “Allianz Stadium” në formë huazimi nga Nice në ditën e fundit të merkatos dimërore, me opsion blerjeje.
Gjigantët e Serie A mund ta bëjnë transferimin e tij të përhershëm për vetëm 4.8 milionë euro.
Sipas “Gazzettas”, paraqitjet bindëse të Bogas deri tani dhe kushtet e favorshme financiare të marrëveshjes e kanë bindur tashmë Juventusin që të mendojë seriozisht për blerjen përfundimtare të tij.
Transferimi i përhershëm i Bogas do të ishte i përballueshëm edhe për sa i përket pagës, pasi 29-vjeçari pritet të fitojë mes 1.5 dhe 2 milionë euro në sezon.
Para se t’i bashkohej Juventusit, Boga nuk kishte luajtur një ndeshje zyrtare që nga 30 nëntori.
Periudha e tij te Nice praktikisht përfundoi pak ditë më vonë, kur rreth 400 ultras sulmuan fizikisht lojtarin dhe drejtorin sportiv të klubit, duke i fajësuar për një seri prej gjashtë humbjesh radhazi.
“Ka qenë një moment i keq për mua dhe familjen time. Ende nuk mund të flas për të gjitha detajet, por kalova dy muaj i mbyllur në shtëpi vetëm me trajnerin tim të fitnesit dhe bashkëshorten,” tha Boga në intervistën e tij të parë si lojtar i Juventusit në shkurt.
“Ishte një periudhë e vështirë, por tani jam i lumtur që kam dalë nga ajo situatë.
Juventusi më shpëtoi. Ka qenë një bekim”, e mbylli ai./GazetaExpress/