Skautët e Real Madrid ishin të pranishëm në ndeshjen e raundit të pestë të FA Cup të së shtunës mes Newcastle Unitedit dhe Manchester Cityt, por ata nuk ishin aty vetëm për të ‘spiunuar’ kundërshtarët e tyre të ardhshëm.
Përveç përpjekjes për të identifikuar dobësitë e Cityt para përballjes së tyre në raundin e 1/8-es së Ligës së Kampionëve të mërkurën, stafi i “Los Blancos” po vëzhgonte nga afër edhe një objektiv të mundshëm transferimi.
Skuadra spanjolle po përgatitet t’i bashkohet disa klubeve evropiane, përfshirë Arsenalin dhe Juventusin, në garën për të nënshkruar me mesfushorin e Newcastlet, Sandro Tonalin, i cili thuhet se është “shumë lart në agjendën e Madridit”.
Një raportim nga “The Sun” pretendon se joshja për të luajtur për Real Madridin “mund të jetë shumë e vështirë për t’u refuzuar” për 25-vjeçarin.
Tonali është lidhur shpesh me një largim nga “St James’ Park”.
Kryesuesit e Premierligës, Arsenal, besohet se bënë një përpjekje për ta transferuar mesfushorin italian në fazën përmbyllëse të afatit kalimtar të janarit, por Newcastle United e refuzoi menjëherë kërkesën, sipas gazetarit Florian Plettenberg.
Tonali, i cili është në sezonin e tij të tretë te Newcastle pas transferimit prej 55 milionë paundësh nga Milani në vitin 2023, u pyet për të ardhmen e tij në nëntor.
“Kjo është një pyetje e vështirë sepse, e dini, në futboll duhet të mendosh vit pas viti,” tha ai.
“Vera e kaluar ishte e vështirë për ne, për Alexander Isak, por ky është futbolli. Nëse ke një mundësi në jetë, për një skuadër tjetër, duhet të mendosh për gjithçka. Nuk dua të them: ‘Po, dua të qëndroj këtu dhjetë vite’, por tani jam i lumtur këtu. Nuk po mendoj për ndonjë ekip tjetër”, shtoi ai.
Agjenti i Tonalit, Giuseppe Riso, minimizoi bisedat për një transferim në janar, por sugjeroi se situata do të rishikohet në verë.
“Këto diskutime për transferime do të ndodhin më vonë,” tha ai.
“Do të shohim si përfundon sezoni dhe pastaj do të vendosim çfarë të bëjmë. Për momentin nuk ka ndonjë preferencë. Është ende herët”, bëri me dije ai.
Në një episod të fundit të podcastit “The Overlap”, ish-mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Scholes, e lavdëroi shumë Tonalin.
Kur u pyet të emëronte mesfushorin më të mirë në Premierligë, ai tha: “Tani për tani? Është e vështirë. Unë ende nuk e konsideroj Moises Caicedo si një mesfushor të plotë. E di që shënoi një gol të shkëlqyer dhe ishte brilant ditën tjetër.
“Mora disa kritika vitin e kaluar pasi e kritikova dhe pothuajse mendova ta tërhiqja atë që thashë, sepse ai ishte fantastik në Kupën e Botës për Klube. Unë thjesht preferoj tipin e mesfushorëve që kontrollojnë lojën, që luajnë me më shumë stil dhe që mund të shënojnë gola më shpesh se Caicedo”, shtoi anglezi.
Scholes e mbylli: “Më pëlqen shumë edhe Sandro Tonali. Ka qenë fantastik. Shumë i mirë. Ndoshta në këtë moment do të zgjidhja Tonalin”./GazetaExpress/